Site icon PrishtinaPress

Ali Ahmeti vjen me bashkëpunëtorë në Kosovë, s’e ka në agjendë takimin me Kurtin

Tri javë pas vizitës jozyrtare të kryeministrit Albin Kurti në komunat me shumicë shqiptare, Tetovë e Çair, një vizitë të ngjashme do ta zhvillojë edhe kreu i partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me një ekip të tij. Ahmeti me bashkëpartiakët do të qëndrojnë në komunën e Gjakovës, sipas njoftimit.

Në vizitën e tij në shtetin fqinj, Kurti s’e takoi Ahmetin, por disa parti opozitare shqiptare atje.

Dhe po të njëjtën gjë do të bëjë edhe Ahmeti.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili do të jetë bashkë me Ahmetin nesër për vizitë në Kosovë, ka thënë për Gazetën Express s’e nuk e kanë në plan ndonjë takim me kryeministrin Kurti.

“Nuk kemi në agjendë takim”, tha Grubi shkurt.

Në njoftimin dërguar mediave bëhet e ditur se Ali Ahmeti të shtunën do të vizitojë Gjakovën.

“Ju njoftojmë se Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, Zëvendës Kryeministri i parë, z. Artan Grubi, Ministri i Financave, z. Fatmir Besimi, Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Jeton Shaqiri, Ministri i Jashtëm, z. Bujar Osmani dhe shefi i grupit parlamentar, z. Arbër Ademi, ditën e shtunë, më 2 shtator 2023, me fillim në ora 13:00, do të vizitojnë kapacitet prodhuese të fabrikës Comodita në Gjakovë të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

Vizita e Kurtit në Tetovë e Çair ngjalli debat se ajo u realizua për t’iu dhënë mbështetje partive opozitare shqiptare.

Grubi e kishte akuzuar kryeministrin Kurti se Kosova ka ndërhyrë në proceset zgjedhore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ndërsa kishte thënë se këto dy shtete nuk janë përzierë asnjëherë në punët e brendshme të Kosovës.

“Kishte ardhur me kërkesën e kryeministrit të Kosovës për ta shpjeguar këtë çështje dhe në fakt u pa që vlerësoi që u bë gabim dhe u vu vizita e kryeministrit të Kosovës në kontekst të formimit të partiçkave të vogla minore të shqiptarëve me nga një deputet, dy deputetë dhe për t’iu dhënë krah atyre. Gabime të tilla nuk është që janë bërë vetëm këtë herë, janë bërë edhe në të kaluarën. Nga Maqedonia e Veriut nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje në proceset zgjedhore në Kosovë, apo edhe në politikat ndërpartiake në Kosovë asnjëherë, as edhe nga Shqipëria nuk ka pasur ndërhyrje as në Maqedoni as edhe në Kosovë, por nga Kosova ka pasur ndërhyrje edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Shqipëri që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori”, kishte thënë Grubi për Kurtin.

Po ashtu, ai ka thënë se janë të edukuar nga Ali Ahmeti që marrëdhëniet me Kosovën dhe Shqipërinë t’i ndërtojnë institucionalisht.

Exit mobile version