Kryetari i BDI’së, Ali Ahmeti thotë se e mbështet Ballkanin e Hapur, pasi e sheh si instrument për pajtim në Ballkanin Perëndimor. Ahmeti thotë se problemet e hapura në këtë pjesë, rrezikojnë paqen.
“Unë kam 20 vjet që flas për pajtimin e rajonit. Ka 20 vjet që e kam promovuar që në luftë të përhershme s’mund të jetojmë, që në hasmëri të përjetshme nuk mund të mbijetojmë dhe e kam promovuar në kohë shumë të vështira sepse duhej të arrihej një pajtueshmëri midis dy komuniteteve më të mëdha këtu në Maqedoni”, tha Ahmeti.
Këtu ai kujtoi se në fillim maqedonasit nuk e kanë mbështetur marrëveshjen e Ohrit.
“Duke lënë të hapura problemet, paqja rrezikohet dhe lufta afrohet dhe ne duhet të zgjedhim, a do të zgjedhim paqen apo do të punojmë që të hapim fronte e luftëra të reja”, tha ai në “Çim Peka Live’ në SyriTV.
“Unë e kam kuptuar Ballkanin e Hapur dhe për këtë edhe e mbështesë, që të arrihet pajtimi midis popujve të Ballkanit Perëndimor, pa involvuar tani edhe situata të tjera, qofshin ato në Lindje të Afërt, Lindje të Largët apo Ukrainë. Unë e shoh si një instrument për tu pajtuar Ballkani”, tha Ahmeti.