“Qytetarët e jo Mickoski, janë ata që do të vendosin nëse BDI-ja do të shkojë në opozitë”.
Ky ka qenë mesazhi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një tubimi partiak në Kërçovë, teksa ka komentuar zhvillimet dhe paralajmërimet paszgjedhore që vijnë nga tabori i pozitës maqedonase.
“A ju kujtohet Zoran Zaevi, kur doli para katër viteve – BDI në opozitë. Kështu thoshte. Del VMRO-ja e Mickoskit thotë – do marrë të tjerë unë dhe BDI-ja do të shkojë në opozitë. Nuk është Mickoski ai që vendos se a do të shkojë BDI-ja në opozitë. Jeni ju – populli”, – tha Ahmeti.
Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, bëri thirrje që të ulen tensionet, duke pohuar se qëllimi i Frontit Evropian është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE.
“Është mirë të reflektojnë. Unë nuk dua as skena nacionaliste e as skena patriotike. Edhe për njërën edhe për tjetrën jam i gatshëm edhe me shpatë. Por, vendi ynë e ka vendin në Evropë. Jo rastësisht jemi bërë të gjithë bashkë”, – tha Ahmeti.
“BDI në opozitë” ka qenë refreni kryesor i VMRO-DPMNE-së, thirrje kjo që ka nisur që në parafushatën zgjedhore, kurse u konfirmua natën e 24 prillit, kur Mickoski duke e ndjerë tashmë veten si mandatar i ardhshëm për formimin e qeverisë, bëri publike preferencën që opozita shqiptare të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme./tvklan.mk/