Alexis Sanchez do të largohet gjithsesi nga Interi gjatë afatit kalimtar të verës.
“Nerazzurri” janë duke e kërkuar një strategji për ta lënë të lirë të largohet sulmuesi kilian, i cili merr rrogë të majme në Itali.
Sipas mediave spanjolle, nënkampioni italian ia ka ofruar Sanchezin Barcelonës.
“Nino Maravilla” kishte luajtur edhe në të kaluarën në “Camp Nou”, ku e kishte një eksperiencë dëshpëruese, me ç’rast ishte transferuar më pas në Arsenal.
Mediumi spanjoll “Sport” megjithatë raporton se trajneri Xavi Hernandez e ka hedhur poshtë këtë mundësi dhe nuk e do ish-futbollistin e Udineses në ekipin e tij pasi po kërkon lojtarë të rinj në moshë.
E tash, Interi duhet ta gjejë një sistemim tjetër për futbollistin jug-amerikan, i cili po ashtu nuk bën pjesë në planet e trajnerit Simone Inzaghi.
Nuk përjashtohet mundësia që Sanchez të përfundojë në ligën amerikane – MLS.