Site icon PrishtinaPress

Albright: Si e ndalëm luftën në Kosovë

“Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”. Kështu e titullon librin e saj me “reflektime rreth Amerikës, Zotit dhe ngjarjeve të botës”, Madeleine Albright, një ndër gratë më të fuqishme në botë, ish-sekretare e Shtetit Amerikan.

Një libër, i cili vjen në shqip falë përkthimit të Engjëllushe Shqarrit dhe Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, me një parathënie nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Shkruan “Panorama”. Dy figura shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe sidomos për ata të Kosovës.

Gjatë viteve të fundit, Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e “luftës së drejtë” në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare Shteti jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë.

Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë. Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që Aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes.

Serbia nuk kishte kërcënuar të pushtonte një vend tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronim tjetrin e pambrojtur”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaç- kitëse serbe, por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve. Kjo gjë e vuri administratën e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë.

Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu.

Kjo ishte realisht një nga ato kohë kur, për t’u bërë jehonë fjalëve të Martin Luther King-ut të Ri, qëndrimi ynë do të bazohej jo në atë që ishte e sigurt, por në atë që ishte e drejtë. Nisur nga fakti që ne nuk kishim një mandat të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake, u përpoqëm veçanërisht shumë të provonim drejtësinë e kauzës sonë. Së pari, administrata e Clinton-it siguroi mbështetjen unanime të NATO-s.

Së dyti, unë mbaja kontakte të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili u dakordësua publikisht me ne se veprimet e serbëve ishin moralisht të papranueshme.

Së treti, objektivat e NATOs gjatë luftës kontrolloheshin nga avokatë ushtarakë, të cilët e krahasonin secilin prej tyre me standardet e përcaktuara nga Konventat e Gjenevës. Në çdo rast bëhet një vlerësim për të parë nëse vlera e objektivit ishte më e madhe se risqet potenciale ndaj civilëve. Teksa lufta përparonte, ne shtuam presionin ushtarak ndaj Beogradit, por ndërkohë bënim kujdes për të minimizuar numrin e viktimave në njerëz dhe plagosjet e panevojshme të tyre.

Tri objektiva civile (Ambasada kineze, një tren pasagjerësh dhe një kolonë me refugjatë) u goditën gabimisht. Vlerësimet për numrin e civilëve të vrarë nga bombardimet tregojnë se ata ishin nga 500 deri në 2000. Ndërsa Serbët, përpara se të arrinim t’i ndalnim, vranë rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës dhe përzunë qindra mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin; në vend u vendos një forcë paqeruajtëse e kryesuar nga NATOja dhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit, i cili që atëherë ka organizuar disa raunde zgjedhjesh demokratike.

Farat e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe në luftërat e kahershme që kishin ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, kishin qenë të mbjella në historinë fetare të rajonit. Duke mbrojtur kauzën e Serbisë, Millosheviçi do të më thoshte se populli i tij kishte mbrojtur “Europën e Krishterë” për shekuj të tërë. Historia kombëtare epike e Serbisë është një rirrëfim i betejës së Kosovës, e zhvilluar kundër turqve otomanë në Fushën e Mëllenjave më 1389. Sipas legjendës, Princit Lazar të Serbisë i ishte shfaqur Profeti Elia në ditën fatale.

Elia i kish ofruar princit të zgjidhte midis fitores në betejë (dhe një perandorie në tokë) dhe disfatës (kompensuar me një vend në parajsë).Princi zgjodhi fitoren e përjetshme në parajsë. Është një histori frymëzuese, një histori që ka luajtur një rol në vendimin e guximshëm të serbëve për t’u rezistuar nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se disa serbë vazhdojnë të jenë të vendosur të hakmerren për disfatën e pësuar në Kosovë më shumë se 600 vjet më parë, të motivuar nga një ndjenjë e egër nacionalizmi dhe besimi se kanë një marrëdhënie të veçantë me Zotin. Ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte, Václav Havel-i do ta karakterizonte me këto fjalë: Nëse mund të thuash se një luftë është etike apo se ajo po zhvillohet për shkaqe etike, atëherë kjo është një prej atyre luftërave.

Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar; asnjë nga kombet anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj; Millosheviçi nuk kërcënon integritetin territorial të ndonjërit prej anëtarëve të Aleancës. E megjithatë, Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton, sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir vrasjet sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë…

Kjo luftë i vendos të drejtat e njeriut mbi të drejtat e shteteve. Shumica jonë do të pajtoheshin me faktin se morali, ndonëse shpesh i vështirë për t’u përcaktuar, është thelbësor për të shkuar mirë me njeri tjetrin. Ne do të ndiheshim më të sigurt në një botë, ku ndërgjegjja do të shërbente si udhërrëfyesi kryesor i veprimeve të kombeve dhe të individëve. Po feja? Feja është ndoshta ndikimi i vetëm më i madh në formimin e ndërgjegjes njerëzore, e megjithatë, ajo është njëherazi edhe një burim konfliktesh dhe urrejtjeje. Pas asaj që pamë të ndodhte në Ballkan dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga konflikte me bazë fetare, a mund të themi se feja është diçka që duhet ta kemi më me bollëk?

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

Nga William J.Clinton

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës. Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara. Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine-s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidaritetit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentët aktualë të Ukrainës dhe Polonisë. Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashikuar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidaritetit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri-tjetrit, në qendër të vëmendjes. Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshme në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhënien midis tyre. “Elementi fetar është themeli i demokracisë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman-it dhe të shpërfillnin të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojnë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerë- zore: ku të gjithë jemi shëmbëlltyra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsueshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra-tjetrës; ato janë njëjtësuese dhe përfshirëse. Problemet dalin kur interpretimin tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman-it, duke argumentuar se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencën e të vërtetës absolute. Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosura, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotësisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojmë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësisht tjetër. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjeje, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrollesh dhe ekuilibrash, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrimi i autoritetit politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës. Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzohet nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve. Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëria e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpretim i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohet në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi. Mos vallë kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike? Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëve. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme. Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë. Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtësi tridhjetë e tetë sheikë. Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremistët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojnë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë. Kur imamët radikalë orvaten të shkatërrojnë mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëve një udhëtim të ashtuquajtur të menjëhershëm në parajsë, në këmbim të gatishmërisë së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshim t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshim t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë. Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëruar, të copëtuar, me thepa. Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtërore, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve. Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerësi, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësve tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremistë dhe për t’i hequr mbështetjen terrorizmit. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojnë dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin. Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishme, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright-it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

Exit mobile version