Rapid Bukuresht ka kompletuar transferimin e sulmuesit kosovar Albion Rrahmani nga Ballkani.
Klubi rumun e siguroi kartonin e qendërsulmuesit në një marrëveshje që thuhet se kushtoi plot 600 mijë euro, që është rekord për shitje në Superligën e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, Rapid njoftoi tifozët për blerjen më të fundit.
“Mirë se vjen Albion. Klubi ka përforcuar sulmin me sulmuesin e Superligës së Kosovës, Albion Rrahmani. Ai nënshkroi kontratë për tre vite”.
Për këtë transferim për faqen zyrtare të klubit foli edhe Rrahmani, që tha se projekti e bindi për të kaluar në Rumani.
“Ndihem shumë mirë. Jam tejet i emocionuar që jam këtu. Shpresoj ta tregoj veten para mbështetësve dhe klubit sa më parë të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të sjell disa paraqitje”.
“E zgjodha Rapidin shkaku i projektit që po ndërtohet këtu. Ishte projekt shumë i mirë dhe ndihem se është më së miri për të qenë këtu”.