3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

“Albini gatoi piten e Kushtetutës së re materiale, në furrë kush do ta fusë!?”

E shprehur me fjalë popullore, zoti Kurti ka gatuar piten e quajtur kushtetutë materiale në dobi të serbëve të Kosovës dhe Serbisë si shtet, ka ngelur vetëm akti i futjes së saj në furrë për t’u pjekur.

Mbetet për t’u parë se kush do ta pjekë kushtetutën e re materiale të gatuar nga Kurti gjatë vitit 2023.Rendi kushtetues dhe tradhtia e lartë.

Në të gjitha legjislacionet penale të Evropës dhe jo vetëm, ndërtimi nga ekzekutivi i një kushtetute të re materiale, pa bekimin e parlamentit dhe pa ndjekur rrugët kushtetuese, përbën vepër penale të tradhtisë së lartë. Ky lloj i veprave zakonisht bie në juridiksionin e posaçëm të gjykatave ose trupave gjyqësorë me juridiksion të posaçëm për vepra të tilla. Jo rrallë vetë kushtetutat nacionale përcaktojnë të drejtën e qytetarëve për revolucion, kur organet shtetërore ose kushdo në emër të tyre kërkon dhe synon të përmbysë rendin e përcaktuar kushtetues. Shembulli i Ligjit themelor gjerman është tipik i kësaj qasjeje.

Ajo që ka ndodhur në Kosovë me dy marrëveshjet e vitit të kaluar, në asnjë vend të Ballkanit e lëre më në vendet e tjera evropiane, nuk do të kishte kaluar pa tronditje të thellë si për pushtetarët ashtu edhe për vetë rendin kushtetues. Pse kjo nuk ka ndodhur në Kosovë! Mbase ngelet temë për një studim tjetër, që tejkalon caqet e shkrimit dhe interesit tonë.

Kuptimi i kushtetutës materiale – një rikujtim

Dy elemente të kushtetutës materiale janë cilësi e saj dalluese në raport me kushtetutat e tjera. I pari është elementi normativ material, i cili konsiston në sanksionim të një konfiguracioni të dhënë të pushtetit që reflekton fuqinë dhe organizimin relativ të grupit të dhënë shoqëror (populli, kombi, pjesa e kombit ose popullit, sekti fetar, grupi gjuhësor, klasor dhe kështu me radhë). Një konfiguracion si ky ndodh çdoherë kur njëri grup ose grupet arrijnë ta imponojnë qëllimin politik të përcaktuar me kushtetutën formale në fuqi ose në një mënyrë krejtësisht të ndryshme dhe kundërthënëse me të. Në secilën situatë grupi ose grupet u japin vetvetes dhe konfiguracionit të pushtetit një substancë normative, siç përcaktohet me kushtetutën formale, ose një substancë krejt tjetër normative kushtetuese, që është e ndryshme dhe në kundërshtim absolut me kushtetutën formale në fuqi. Kjo përbën elementin e dytë të kushtetutës materiale, i njohur si përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale. Përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale tregon kush çfarë bën dhe cilat janë raportet në mes të niveleve të ndryshme të pushtetit; cili është roli dhe pozita e individit dhe grupit shoqëror në shoqëri e kështu me radhë. Përmbajtja esenciale e kushtetutës institucionalizon marrëdhënien e re në mes të forcave shoqërore qeverisëse (dominuese) dhe forcave shoqërore të qeverisura (të dominuara).

Ndryshimet e kushtetutës materiale nuk janë të shpejta dhe nuk lidhen me amendamentin kushtetues. Mund të ketë amendamentim kushtetues, por mos të ndryshojë asgjë në kushtetutën materiale të vendit dhe anasjelltas, mund të ketë ndryshime në kushtetutën materiale pa e prekur kushtetutën formale. Nuk ekziston ndryshim në kushtetutën materiale çdoherë kur qëllimet politike të projektit të parë kushtetues si dhe vetë konfigurimi i pushtetit në mes të forcave dominuese dhe të dominuara ngelin të njëjta në raport me formën e unitetit politik të përcaktuar me kushtetutën materiale në fuqi. Uniteti politik ka të bëjë me vendimin politik të një populli me të cilin përcakton formën e shtetit dhe të pushtetit, si dhe vetë karakterin e tyre. Ndryshimet në kushtetutën materiale janë çdoherë pasojë e zhvillimeve në raportet shoqërore për një kohë të gjatë. Sikundër dihet, Statuti Albertino, që ka shërbyer si pikë referimi për studimet e Costantino Mortatit dhe të tjerëve mbi kushtetutën materiale, është miratuar më 1848, kurse kushtetuta materiale italiane u ndërtua pas unifikimit italian (1871) dhe, në mënyrë më dramatike, pas ardhjes në pushtet të fashistëve të Benito Musolinit (1922).

Kushtetuta materiale e Kosovës së 17 shkurtit 2008

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka ardhur si rezultat i një procesi të gjatë dialogimi, negocimi dhe koncesionesh politike ndaj Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Me mbështetjen ruse, Serbia është larguar nga ky proces për shkak të pakënaqësisë me koncesionet e bëra nga pala kosovare. Ajo njëkohësisht ka nxitur serbët lokalë për të ikur nga sistemi i ri kushtetues që po krijohej gradualisht: nga dita e parë ata nuk pranuan qëllimin politik të projektit të parë kushtetues dhe konfiguracionin e ri të pushtetit. Shpallja e Pavarësisë përfaqëson triumfin e kushtetutës së re materiale të Kosovës. Sipas mendimit këshillëdhënës për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), kjo kushtetutë ka lindur jashtë rendit juridik të kushtetutës materiale të kohës, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare (të përgjithshme dhe të posaçme). Nuk kanë qenë vetëm forcat shoqërore të serbëve lokalë ato që nuk kanë pranuar qëllimet politike dhe unitetin politik që u krijua më 17 shkurt 2008. Një mospranim të tillë e ka pasur edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe ish-presidenti i Kosovës, zoti Hashim Thaçi.

Pas vendimit të GJND-së për Kosovën, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së udhëzoi palët që të vazhdonin dialogun, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), me qëllim të zgjidhjes së problemeve të jetës dhe punës së përditshme. Këtu pra BE-ja paraqitet si organizatë regjionale, në kuptim të Kartës së OKB-së, me autorizim ndërkombëtar, duke përjashtuar krejt të tjerët, për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e çështjeve kontestuese në mes të palëve. Mbi këtë logjikë nisi dialogu më 2011 dhe prodhoi me dhjetëra marrëveshje, të cilat kanë karakter të detyrueshëm ndërkombëtar, pa marrë parasysh iluzionet e palëve në kontest se ato nuk janë të tilla. Asnjëra prej marrëveshjeve të arritura deri më 2023 nuk kanë prekur qëllimin e projektit fillestar kushtetues, formën dhe përmbajtjen e unitetit politik të kushtetutës materiale të 17 shkurtit 2008: me marrëveshjen e parë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 2013, nuk parashihej ndryshim apo zhvendosje në konfiguracionin e pushtetit, përkatësisht në raportin në mes të forcave qeverisëse (dominuese) dhe të qeverisura (të dominuara). Ky nuk ishte rasti me marrëveshjen e dytë të vitit 2015, e cila ishte akt zbatues i marrëveshjes së vitit 2013. Kjo marrëveshje, siç dihet, u shpall jokushtetuese me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Ky aktgjykim la në fuqi vetëm aspektet procedurale të detyrimit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo nënkupton, sot e kësaj dite, ndërmarrjen e disa hapave. Hapi i parë është formimi i një ekipi menaxhues për hartimin e një statuti të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe (A/BKSHS). Hapi i dytë konsiston në miratimin nga ekzekutivi kosovar, me vendim të veçantë, të draftstatutit të A/BKSHS. Hapi i tretë dhe i fundit është dërgimi nga ekzekutivi kosovar në Gjykatë Kushtetuese për kontroll kushtetues të draftit në fjalë. Ndërkohë që detyrimet procedurale të Kosovës kanë qenë të qarta, siç po shihet nga sa më sipër, ky nuk ka qenë rasti sa i përket përmbajtjes që duhet të ketë statuti i ardhshëm i A/BKSHS. Kjo për faktin se aktgjykimi i vitit 2015, vetëm në mënyrë negative ka përcaktuar ndalesat kushtetuese të cilave çdo organ kushtetues ka për detyrë t’iu përmbahet në raport me përmbajtjen e statutit të A/BKSHS dhe, për rrjedhojë, në raport me autorizimet që duhet të ketë A/BKSHS. Gjykata, në veçanti, ka sqaruar se shprehja “mbikëqyrje e plotë” nga marrëveshja e vitit 2013, nuk guxon të ketë natyrë ekzekutive dhe as t’i uzurpojë kompetencat e komunave ekzistuese.

Kushtetuta materiale e Brukselit dhe Ohrit 2023

Siç shihet krejt qartë, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 e ka bërë të qartë anën procedurale dhe ndalesat kushtetuese përmbajtjesore të Marrëveshjes së vitit 2013. Këtë e ka ditur ose është dashur ta dinte secili prej titullarëve të institucioneve të pushtetit në vend, pa marrë parasysh vokacionet e tyre jetësore. Me këtë fakt normativ parasysh kryeministri i Kosovës më 2023 lidhi dy marrëveshje, njërën në Bruksel e tjetrën në Ohër, të cilave ne iu referohemi si marrëveshjet e vitit 2023, të cilat në tërësi kanë përmbysur qëllimet e projektit fillestar kushtetues dhe unitetin politik të proklamuar në të. Në dispozitat e tyre ravijëzohet qartë përmbysja e konfiguracionit të pushtetit të sanksionuar me dokumentet kushtetuese të kushtetutës materiale të Pavarësisë së Kosovës, në rend të parë me Deklaratën e Pavarësisë (DI) dhe Kushtetutën e Kosovës (KKos). Shënojmë se Marrëveshja e Ohrit është akt zbatues i Marrëveshjes së Brukselit, njëjtë siç ka qenë marrëveshja e shpallur jokushtetuese më 2015 akt zbatues i marrëveshjes së ratifikuar të vitit 2013. Sipas të drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet e vitit 2023 përbëjnë novacion, ose zëvendësim, përtëritje dhe modifikim të detyrimeve ekzistuese të Kosovës, pra të detyrimeve sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe Aktgjykimit të vitit 2015. E thënë me fjalë të tjera, sipas së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet e vitit 2023 kanë zëvendësuar, përtërirë dhe modifikuar detyrimet ekzistuese të Kosovës në raport me krijimin e A/BSHS.

Momentet përcaktuese: pesë gabimet fatale

Janë pesë dimensione që shpërfaqin thelbin e gabimeve me pasoja afatgjate. Me marrëveshjet e vitit 2023, kryeministri Kurti ka ndërtuar në mënyrë antikushtetuese themelet e një kushtetute të re materiale në dobi të serbëve lokalë dhe Serbisë; ka gatuar një realitet të ri kushtetues duke vepruar në vend të Kuvendit të Kosovës, duke ushtruar pushtet krijues origjinal ose pushtet kushtetutëbërës, siç quhet në terminologjinë kushtetuese. E shprehur me fjalë popullore, zoti Kurti ka gatuar piten e quajtur kushtetutë materiale në dobi të serbëve të Kosovës dhe Serbisë si shtet, ka ngelur vetëm akti i futjes së saj në furrë për t’u pjekur. Mbetet për t’u parë se kush do ta pjekë kushtetutën e re materiale të gatuar nga Kurti gjatë vitit 2023. Kjo përbën pak interes për autorin e këtyre rreshtave. Interes paraqet fakti se, për fat të keq, asnjë dispozitë e marrëveshjeve të vitit 2023, që përshkruan kushtetutën e re materiale të serbëve të Kosovës, përfshirë Statutin e BE-së, që është hartuar me pëlqimin dhe bekimin e plotë të kryeministrit Albin Kurti, nuk mund të ndryshojnë dhe as të jenë objekt negocimi në të ardhmen. Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) nënkupton vënien në jetë të kushtetutës materiale të krijuar më 2023, ku më nuk ekziston Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por Bashkësia e komunave serbe me juridiksion të qartë kushtetues.
T’u kthehemi tani pesë gabimeve fatale për Kosovën, por edhe për vendin e zotit Kurti në historinë më të re të Kosovës.

Së pari – zoti Kurti ka hequr dorë nga çdo njohje në raport me Serbinë. Së dyti – ai ia ka njohur Serbisë të drejtën për mohim permanent të shtetësisë së Kosovës. Së treti – ai ka krijuar autonomi politike dhe territoriale për serbët lokalë; është politike, sepse serbët lokalë përfaqësohen direkt në marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror si partner i barabartë, jo në raport subordinimi; është territorial, ndërkaq, sepse vetëmenaxhimi vlen për territoret e komunave, që në rastin serb jo vetëm që janë të qartë, por pa pëlqimin e tyre nuk mund të ndryshohen. Së katërti – formalizimi i pozitës së Kishës Ortodokse Serbe (KOS) do të thotë ekstraterritorialitet, sepse ajo do të funksionojë jashtë çdo kufizimi ligjor të autoriteteve të Kosovës, bile edhe më lirshëm se në territorin e Serbisë. Së fundi – marrëveshjet e Kurtit me Serbinë nuk janë përfundimtare: ato kanë vënë themelet e dialogut pafund që kurrë nuk mbaron. Ky fakt stopon çdo njohje të re, sepse shtetet e tjera e shohin çështjen e Kosovës si çështje statusi, jo si një dialog për zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve të përditshme në mes të dy vendeve, siç ka qenë dialogu kur e ka marrë në dorë Kurti.

Të gjitha këto gabime përmbysin qëllimin e projektit fillestar kushtetues të DI dhe KKos dhe vetë unitetin politik të proklamuar me to, krijojnë një Kosovë serbe dhe një Kosovë tjetër, e cila nuk mund të jetë Kosovë shqiptare. Lufta në mes tyre do të mbetet një gjendje konstante, ku njëra ia mohon ekzistencën tjetrës. Vetëm një ndryshim global i favorshëm për ne, i raportit të forcave, mund ta ndryshojë këtë gjendje të gjërave. Deri atëherë, mirë se vini në “dy Kosova”!

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img