Site icon PrishtinaPress

Albin Kurti: Vepra e Noel Malcolm ndihmoi për të vërtetën historike për Kosovën

Libri “Kosova: një histori e shkurtër”, ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, qoftë akademik apo politik, në raport me të vërtetën historike për Kosovën, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në premierën e filmit dokumentar kushtuar veprës së Sir Noel Malcolm.

Kurti vlerësoi lart kontributin e Noel Malcolm dhe librin e shkruar për Kosovën, pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare, në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanologjike, raporton Klan Kosova.

Nëpërmjet kësaj vepre, mund të flitet për një linjë të veçantë pikëpamjeje dhe interpretimi racional ndaj historisë së Ballkanit, tha Kryeministri.

Duke vlerësuar lart figurën e tij, kryeministri tha se ishte nder dhe kënaqësi prania e sotme e Sir Noel Malcolm në Kosovë, i cili e kishte menduar ta shkruante këtë libër për publikun perëndimor, me idenë që të rrëfente dhe sqaronte duke shpjeguar, e të shpjegonte duke dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, e cila ndodhej në prag të luftës.

“Dhe vërtet ky libër ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, qoftë akademik apo politik, në raport me të vërtetën historike për Kosovën. Aq më tepër që “Kosova: një histori e shkurtër”, u shkrua pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare, në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanologjike. Nëpërmjet kësaj vepre, mund të flitet për një linjë të veçantë pikëpamjeje dhe interpretimi racional ndaj historisë së Ballkanit”, u shpreh kryeministri.

Me mbresat më të mira nga dokumentari për të dhe me vlerësimet më të larta për veprat e tij historiografike, Kryeministri Kurti falënderoi Sir Noel Malcolm, dhe i uroi shumë shëndet dhe mbarësi në punët akademike.

Exit mobile version