Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, bëri homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 24-vjetorit të rënies së tyre për atdhe.
Kreu i ekzekutivit tha se në luftën çlirimtare ranë katër dëshmorë të familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës. Marku e Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit dhe Prendi e Mema më 28 janar 1999 në betejën e Godenit.
“I përkujtuam me nderim e krenari në 24-vjetorin e tyre, të gjakut të tyre që u bë liria jonë. Lokja Hanë dhe Gega na prinin në homazhet e sotme te varri i tyre dhe lapidari tempull me katër shtylla”, u shpreh ai.
Derisa kujtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se para një çerek shekulli UÇK-ja organizoi popullin në kryengritje kundër pushtuesit dhe okupatorit serb i cili kreu gjenocid në Kosovë.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, tha në fund Kurti.
Siç shtoi kryeministri më tej, agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike.