1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

“Albin Kurti kishte një kërkesë specifike lidhur me një ushtrues detyre” – Prapaskenat e emërimeve dhe shkarkimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Agron Shala thotë se e di arsyen e shkarkimit të tij nga pozita e kryetarit të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës si dhe të anëtarëve të tjerë. Por, ai thotë se nuk e kishin pritur këtë vendim dhe as nuk ishin paralajmëruar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të premten para mesnatës kumtoi shkarkimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe emërimin e të riut. Deri kur u bë publik lajmi në media, asgjë për këtë nuk dinin anëtarët e deriatëhershëm të këtij këshilli, përfshirë kryetarin Agron Shala. Sipas Shalës, vendimi erdhi si pasojë e shumë informatave të rreme që ministri Hajrulla Çeku i kishte marrë paraprakisht. Duke shpjeguar rreth kësaj, Shala ka përmendur dy takime që i kishte pasur me Çekun, si dhe kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për ta anuluar një konkurs. Mosveprimi i Këshillit Drejtues të Teatrit sipas kësaj kërkese – tregon Shala – bëri që ai si kryetar dhe anëtarët e tjerë të shkarkoheshin para mesnatës.

Ish-kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agron Shala, i cili e kishte pranuar këtë detyrë në nëntor të vitit të kaluar, tha për Gazetën Express se Këshilli që qe në detyrë deri të premten vonë, punoi ndërshëm e profesionalisht. Ai tha se kishte pranuar që të jetë pjesë e këtij këshilli vetëm pasi i kishte parë emrat e anëtarëve tjerë, ndërsa shprehet se nga paslufta s’ka pasur këshill më të mirë e më të përkushtuar për ta çuar Teatrin Kombëtar në kahun e duhur.

“Ky Këshill që u shkarkua pa paralajmërim, në orët e vona të së premtes së 7 majit, ka punuar në mënyrën më të ndershme e më profesionale. Prandaj, për hir të emrave që kanë moshë e karrierë, po ju them shkurtimisht se pse ndodhi ky shkarkim”, tha fillimisht Shala.

Në takimin e parë me ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku, Shala tha se u ndje mirë nga dëshira e këtij të fundit për ta ndihmuar Teatrin, por tha se e kuptoi që ai qe keqinformuar për shumë çështje.

“E kam takuar dy herë ministrin e ri të Kulturës, Hajrulla Çeku. Herën e parë e kam uruar për punën, që të ketë sukses, sepse sektori i kulturës është nga më të vështirët, po edhe nga më të rëndësishmit. Dhe, dua që secili ministër të ketë suksese e të lë vepra të mira. Ai ka thënë se dëshiron ta ndihmojë Teatrin e ta çojë para atë. U ndjeva mirë. Por, nuk e dija se si do ta ndihmojë. Nga biseda e kuptova se për shumë gjëra ishte i keqinformuar. Kjo më ka ndodhur më herët”, tha Shala.

Ai deklaron se në takimin e dytë, ish-ministri ia kishte hapur edhe çështjen e emërimit të drejtorit të përgjithshëm të Teatrit, që ishte bërë në mars. Thotë se ishte pyetur nga ministri edhe nëse qe i kënaqur me emrat e tre kandidatëve të cilët ishin në garë.

“Në takimin e dytë ministri flet për emërimin e mëparshëm të drejtorit të përgjithshëm. I thash se Ministria i inicion procedurat e emërimit; se procesi ka qenë transparent dhe se për këtë ka dëshmi edhe nga monituruesit e jashtëm. Pra, Këshilli e ka kryer punën që i ka takuar në mënyrë profesionale dhe se nuk ka pasë asnjë imponim për këtë proces. I thash se më mirë është që Teatri të ketë një drejtor dhe një këshill serioz që e monitoron punën e tij, sesa të vazhdohet me ushtrues detyre si tash e dy vjet. Më pyeti a jeni të kënaqur me tre emrat që kanë konkurruar për drejtor të përgjithshëm? I thash jo; asnjëri në Këshill nuk është i kënaqur (i kërkova t’i takojë të gjithë anëtarët), sepse në atë Teatër dikur drejtorë ishin emrat si Azem Shkreli, Ramiz Kelmendi dhe Hasan Mekuli. Dhe, ky fakt tregon se në çfarë gjendje është teatri dhe se problemi nuk zgjidhet duke u marrë me llafe nga anash e me emra, por me fenomenin”, u shpreh Shala.

Në vijim, ai thotë ministri Çeku i kishte kërkuar ta anulonte konkursin për udhëheqës artistik. Siç shpjegon aktori, kryeministri Albin Kurti e kishte një kërkesë specifike lidhur me një ushtrues detyre që duhej të vihej në këtë pozitë.

Shala tha se ministri ia përmendi tre emra.

“Ai kërkoi që Këshilli ta anulojë konkursin për udhëheqës artistik meqë, sipas tij, kandidatët nuk ishin të duhur, ndërsa deri në konkursin e radhës ai do ta gjejë një tjetër ushtrues detyre për këtë post (tre emra i përmendi në takim, aktorë, asnjë dramaturg). Më interesonte nëse për këtë konkurs ka ndonjë kërkesë nga klanet e “artistëve” apo nga politika. Më tha: “Nga Albin Kurti që e njeh mirë filmin dhe teatrin”. U ndala pak e i thash: “Mos harro që e njeh edhe muzikën”!? Tha: “Ke të drejt, po këto më shumë”!”, shpjegoi ish-kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së.

Dy ditë para shkarkimit, Këshilli Drejtues i Teatrit me në krye Agron Shalën kishin marrë vendim për caktimin e kohës për mbajtjen e testit për ata që Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit konsideronte se i kishin përmbushur kriteret. Ky vendim, sipas tij, u kushtoi me shkarkim.

“Të mërkurën, më 5 maj, si Këshill (ku asnjëri nuk është as anëtar e as aktivist i ndonjë partie dhe asnjëri nuk ka pasë interesa individuale për të qenë pjesë e Këshillit, pos për ta ndihmuar teatrin dhe artistët), duke e respektuar ligjin, bashkë me administratën e Ministrisë, në mënyrë unanime, të shtatë anëtarët kemi marrë vendim që testi për pesë emrat që i kanë përmbushur, sipas Ministrisë, kushtet për kandidim, të mbahet më 12 maj nga ora 12:00. Dhe, kjo është arsyeja se pse Këshilli shkarkohet. Natën! Mos të harrojmë se pesë anëtarë në atë Këshill, njerëz të artit që kanë lënë shumë gjurmë të mira, edhe në kohërat më të vështira, i kanë kaluar të 60-tat dhe nuk e kanë merituar këtë trajtim”. tha Shala.

Me tani ish-anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Munish Hyseni, Agron Gërguri, Ismet Azemi dhe Feim Maliqaj, Shala thotë se e kishin gjetur Tatrin në gjendje të rëndë dhe pa asnjë aktivitet.

“Këshilli – kryetar i të cilit isha – e gjeti Teatrin pothuajse në vdekje klinike, pa asnjë aktivitet. Dhe, ndonëse kishte vërejtje për repertorin e miratuar nga Këshilli paraprak (pa recensione e pa koncepte regjisoriale) dhe për emrat që do të punojnë (temë tjetër kjo që do të vërtetojë se institucionet e kulturës janë më shumë për zhvatje fondesh e jo për vlera), vendosi që puna të mos ndalet. Pra, mos të punojë sipas rezonit të rrezikshëm që e mbështet ministri i ri: me mua nis gjithçka! Mos të harrojmë se Teatri nuk kishte as drejtor të përgjithshëm e as udhëheqës artistik”, u shpreh ai. “Pra, asgjë nuk ishte siç duhet. Aty disa herë ka ndërhyrë Policia e mos të flas për shkresat e Anti-Korrupsionit për vendimet që janë marrë para se të emërohej Këshilli i shkarkuar rishtazi”.

Shala thotë se një përvojë të ngjashme me Lëvizjen Vetëvendosje e kishte edhe kur partia e Albin Kurtit i kishte fituar zgjedhjet në kreqytet. Ai shprehet se Kurti atëherë ishte keqinformuar lidhur me aktivitetet që zhvilloheshin në Teatrin “Dodona”, ku Shala ishte drejtor.

“Pasi Vetëvendosje fiton në Prishtinë, Albin Kurti i bashkon në një takim Jeton Budimën dhe një mik tjetër të tij që ishte edhe i imi. Në atë takim, siç më ka informuar më vonë i pranishmi i tretë, Kurti ka thënë: “Në ‘Dodonë’ nuk ka shfaqje për fëmijë dhe fëmijët po rrinë në telefona e tabletë”! Por, e vërteta ishte kjo: në atë kohë “Dodona” i kishte 19 shfaqje për fëmijë, rast unik ky për rajonin. Disa nga ato shfaqje ishin mbi 20 vjet të vjetra që i shihnin bashkë me fëmijët – në një rast tjetër unik – fëmijët e dikurshëm si prindër të sotëm”, tha Shala.

Ai përmend edhe disa statistika që dëshmojnë të kundërtën e asaj që sipas tij e besonte Kurti atë kohë, ndërsa shton se “me koncepte të tilla ka rënë shikueshmëria në Teatrin “Dodona” dhe se u shkatërrua një repertor i shfaqjeve për fëmijë që është ruajtur për 30 vjet”.

“Më 2012 jam emëruar drejtor i Teatrit “Dodona”, post që e kam ushtruar deri në fund të dhjetorit 2016 (ku nuk ka pasë asnjë shkresë nga Anti-Korrupsioni e as edhe një vërejtje nga auditori). Krahasoni të dhënat: Më 2015 “Dodona” kishte 251 shfaqje premierë dhe reprizë, numri i shikuesve ishte 22 810. Më 2016: “Dodona” kishte 253 shfaqje premierë dhe reprizë, numri i shikuesve ishte 25 540. Më 2017, me ndryshimet e reja të imponuara nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, “Dodona” kishte 102 shfaqje premierë dhe reprizë, numri i shikuesve ishte 5 876”, theksoi Shala. “Pra, në vend se me u rrit numri në Teatrin “Dodona”, në vitin 2017 realizohet 23 përqindëshi i asaj që u punuar një vit më parë, krejt kjo fal llafeve të personave që nuk përtojnë t’i flasin çdo pushtetari”.

Në takim, Shala tha se i kishte thënë ministrit që s’do t’ia trokiste derëm asmkëherë e se s’do t’i fliste për veten. “Meqë kisha probleme tjera, me nënën e sëmurë (gjendja e së cilës çdo ditë e më e rënd po bëhet), u çova nga takimi”.

Në institucionin më të lartë teatror në vend, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku s’e la asnjërin nga anëtarët e përbërjes paraprake të Këshillit, mandati i të cilëve zgjati vetëm pak muaj.

Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të TKK-së janë Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

Regjisorja Shkurte Aliu, e cila nga nata e së premtes u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit, është edhe anëtare e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Aliu kishte garuar për deputete në zgjedhjet e vitit 2017, duke mos arritur t’i merrte votat e mjaftueshme për ta fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Çeku gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, thoshte se do t’i departizonte institucionet kulturore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img