Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është ndër të paktët deputetë të Kuvendit të Kosovës që nuk ka funksion tjetër në Kuvend pos atij të deputetit.
Sipas Vetëvendosjes, arsyeja e këtij vendimi është që Albin Kurti është shumë i zënë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës numëron në total 14 komisione parlamentare, 4 prej tyre të përhershme e 10 tjera funksionale.
Komisionet përbehen nga 10 deri në 12 deputetë. Çdo grup parlamentar prezantohet me së paku një deputet anëtar në çdo komision parlamentar.
Ndërsa grupet parlamentare me më shumë deputetë mund të prezantohen edhe me më shumë anëtarë në komision.
Disa deputetë janë anëtarë në disa komisione, e ka deputetë që s’janë anëtar në asnjë komision.
Lëvizja Vetëvendosje pas largimit të disa deputetëve të cilët tashmë kanë krijuar grupin e tyre parlamentar, numëron 19 deputetë.
Prej këtyre 19 deputetëve, 5 deputetë janë anëtarë në dy komisione, 11 tjerë janë anëtarë në 1 komision, ndërsa kreu i partisë nuk është anëtar në asnjë komision parlamentar. Ndërsa dy të tjerë, Salih Zyba dhe Shemsi Syla ende nuk figurojnë në faqen zyrtare të Kuvendit si anëtarë të ndonjë komisioni për shkak se kanë hyrë së fundi, pasi që Mytaher Haskuka dhe Qëndron Kastrati liruan pozitat e tyre pasi ishin zgjedhur kryetarë komunash në Prizren dhe Kamenicë.
Sipas Vetëvendosjes, arsyeja pse Albin Kurti nuk është pjesë e asnjë komisioni parlamentar është për shkak se kryetari i Vetëvendosjes është shumë i zënë.
“Kemi mjaftueshëm deputetë që t’i mbulojmë të gjitha fushat. Albini është shumë i zënë dhe është vlerësuar edhe në kryesi të VV që më mirë Albini të mos jetë anëtar në komisione parlamentare, por të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s”, tha për “Gazetën Jeta në Kosovë”, Tinka Kurti, zyrtare për informim e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti edhe në legjislaturën e kaluar, 2014 – 2017 nuk ka qenë pjesë e asnjë komisioni parlamentar.
Ndërsa dy legjislatura më parë, 2010-2014, Albin Kurti ka qenë kryetar i komisionit për Punë të Jashtme.
Mandatin e kaluar, as kryetari i Nismës Socialdemokrate , Fatmir Limaj që ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës figuron që nuk ka qenë pjese e asnjë komisioni parlamentar.
Fatmire Kollçaku, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Ali Lajçi dhe Glauk Konjufca janë anëtarë në dy komisione parlamentare.
Deputetët që janë pa grup parlamentar, sipas rregullores së punës nuk kanë të drejtë vote, por mund të marrin pjesë në komisione parlamentare.
Në anën tjetër, grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që pas ndarjes së Vetëvendosjes është grupi parlamentar më i madh në Kuvend, me 27 deputetë, përfaqësohet në çdo komision parlamentar.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës numëron 23 deputetë, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
21 deputetë të kësaj partie janë pjesë e grupeve parlamentare, përveç Kadri Veselit që është kryetar i Kuvendit dhe Xhavit Halitit që është nënkryetar i Kuvendit.