Ish-ushtari i UÇK-së dhe veprimtari i shquar i lobit shqiptaro-amerikan, Uk Lushi ka thënë se së shpejti kryeministri Albin Kurti do të jetë vetëm në Qeveri.
Lushi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kurti ia mori sot pozitën ministrit të Shëndetësisë, Rifar Latifi.
“Unë nuk e kuptoj si Rifat Latifi ka një trohë dinjiteti profesional të thotë që është Ministër i Shëndetësisë kur këtë pozitë sot ia mori publikisht Albin Kurti. Shpejt Albin Kurti do të ketë qeveri vetëm me një njeri – VETEN. Jemi jo sui generis, por përtej sui generisit”, ka shkruar ai.
Kryeministri Albin Kurti sot krijoi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, të cilin bëri të ditur se do të udhëheqë vetë.
“Si kryeministër, propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para, të bëjë analizën dhe ndarjen e bashkëpunimit publiko-privat. Reformimin e SHSKUK-së, përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, tha ai.
Më pas, para mediave Kurti tha se gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë s’mund të merret veç Ministria e Shëndetësisë me të.