1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Albin Kurti dhe Bekim Jashari zbulojnë bustet e Tahir e Nebih Mehës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari, në 40- vjetorin e vrasjes nga forcat serbe të sigurisë, zbuluan sot në Prekaz bustet e katër veprimtarëve dhe luftëtarëve të Drenicës, Tahir e Nebih Meha, Emin Lati dhe Beqir Meha, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Kurti mbajti një fjalim në oborrin e kullës së familjes Meha.

Kryeministri Kurti tha para familjarëve dhe të pranishmëve të tjerë se 40 vjet më parë, përveç që ishte koha e demonstratave dhe e grevave, e burgjeve politike dhe e veprimtarëve ilegalë, ishte edhe koha e rezistencës së armatosur, e qëndresës për liri deri në vdekje – ishte koha e Tahir e Nebih Mehës.

“40 vjet më vonë, ata na bënë bashkë, përsëri, këtu, në vendin e tyre të dashur që tash është vendi ynë i lirë”, tha kryeministri Kurti.

Duke e rikujtuar heroizmin sidomos të dy veprimtarëve Meha, kryeministri Kurti tha se lavdia u përket të gjithë luftëtarëve e dëshmorëve, ndërsa obligimi secilit prej nesh.

“Ata janë përplot lavdi. Ne jemi përplot përgjegjësi. Por, me ata në kujtesë dhe në zemër, ardhmëria është e jona”, tha kryeministri Albin Kurti.

Tahir e Nebih Meha u vranë në Prekaz, më 13 maj 1981, pas një përleshje të armatosur me forcat policore jugosllave. Sipas raportimeve të mediave serbe të kohës, në këtë betejë mbetën të vrarë edhe rreth dhjetë policë jugosllavë.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti: 

40 vite më parë ishte koha e demonstratave dhe e grevave, e burgjeve politike dhe e veprimtarëve ilegalë. Por, ishte edhe koha e rezistencës së armatosur, e qëndresës për liri deri në vdekje – ishte koha e Tahir e Nebih Mehës. 40 vjet më vonë, ata na bënë bashkë, përsëri, këtu, në vendin e tyre të dashur që tash është vendi ynë i lirë.

I nderuari Kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari,

I nderuari nënkryetar i Komunës, gjeneral  Nuredin Lushtaku,

I nderuari drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, z. Bislim Zogaj,

Të dashur  ish luftëtarë të Ushtrisë Çirimtare të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar të pranishëm,

Para katër dekadave, një shtet e rrethoi një shtëpi. Tahir Mehën me familje i rrethoi një shtet federativ i përbërë nga gjashtë republika e dy krahina. Tahirin njëmend e vranë, por edhe nga Tahiri u vranë. Tahiri sot rron, na ka bërë neve bashkë këtu. Ata që e vranë Tahirin nuk rrojnë më as këtu, as gjëkundi tjetër. Janë harruar, edhe nëse janë përkujtuar ndonjëherë nga ndokush, kurse tash na kujtohen vetëm atëherë kur e kujtojmë dhe e përkujtojmë Tahirin tonë.

Prekazi nuk mund të mos e lindte Tahirin, e as Tahiri nuk mund të mos ishte nga Prekazi. Nga Ahmet Delia te Azem Bejta dhe Emin Lati, nga Shaban Polluzha e Hashim Lushtaku deri te Nebih e Tahir e Beqir Meha, përgjatë gjithë shekullit XX, Prekazi ishte përplot me luftëtarë trima e kryengritës të paepur. Andaj, disi natyrshëm edhe kulmimi i lëvizjes shqiptare në Kosovë për çlirim e bashkim, ndodh sërish në Prekaz, ngjan pikërisht në Prekaz, me Epopenë e UÇK-së, me flijimin e Jasharajve.

Prekazi ka qenë vendtakim i veprimtarëve që organizoheshin për mbarë kombin shqiptar – prej Hasan Prishtinës e Zejnullah Begut, që me 10 maj 1912 ishin në Kullën e Ahmet Delisë duke e përgatitur Kuvendin e Junikut, e deri te gjithë ata dëshmorë që para se të binin heroikisht në përballjen me forcat armike serbe vinin në Kullën e Bacës Shaban për të kuvenduar me Hamzën dhe Ademin.

Brezat e luftëtarëve tanë kanë bartur pishtarin e lirisë nga njëri te tjetri, gjeneratë pas gjenerate. Ata kanë mësuar nga vepra e të parëve, nga jeta e paraardhësve, dhe kanë vizituar varret e tyre, për të ndjekur rrugën e atyre me udhëzimet e tyre, para se të tjerë veprimtarë, më pas, të vizitojnë varret e këtyre.

E kanë përhapur idenë e idealin anekënd, me hapat e tyre në hapsirën e popullit. Kanë ecur, e duke ecur, kanë zgjeruar lëvizjen dhe e kanë shtrirë organizimin, anembanë. Kanë lëvizur nëpër popull deri sa e bënë popullin lëvizje. Kjo lidhje e brezave është koha si histori. Kjo ecje hapash është hapësira si territor. Trashëgohet ideja, trashëgohet ecja, trashëgohet pushka. Para 40 vjetësh, në varrimin e Tahir Mehës kanë marrë pjesë edhe Shaban, Hamëz e Adem Jashari.

E nderuara familje Meha,

Të dashur pjesëmarrës,

Lavdia u përket të gjithë atyre; obligimi – secilit prej nesh. Ata janë përplot lavdi. Ne jemi përplot përgjegjësi. Por, me ata në kujtesë dhe në zemër, ardhmëria është e jona.

Ju faleminderit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img