Site icon PrishtinaPress

“Albin Baba” harron premtimet, nuk e mban fjalën as për pushimin 1-vjeçar të lehonisë për të dy prindërit

Kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kishte bërë një premtim të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Ai kishte deklaruar se do të ofrohej një pushim lehonie prej 12- muajsh, ku pjesëmarrës për pagesën do të ishin edhe shteti, dhe se kjo mundësi do të ishte e hapur për të dy prindërit.

Megjithatë mandati i kësaj qeveria përfundon më 9 shkurt 2025 dhe ky premtim u harrua e u la pas dore si shumë premtime të tjera.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale:  Në fushatë jepen premtime si ‘’fontanë dëshirash’’

Për çështjen e pushimit të lehonisë Vebi Mujku, ish-drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë,  ka thënë  se ky premtim ka qenë një angazhim i fushatës zgjedhore të vitit 2021 dhe se premtimet e tilla, përfshirë edhe ato nga Kryeministri Kurti, janë pjesë e angazhimeve elektorale që shpesh mbesin të parealizuara.

‘’Ky premtim për lehoni ka qenë një premtim i fushatës zgjedhore të vitit 2021 dhe të gjitha premtimet edhe atë herë edhe tash premtimet që po jepen nga të gjitha partitë përfshirë edhe kryeministri i tanishëm që është janë premtime elektorale’’, deklaroi Mujku.

Sipas Mujkut, çdo premtim gjatë fushatës duhet të përkrahet me një bazë ligjore dhe të kalojë në Kuvend për t’u miratuar si ligj.

‘Secili vendim apo propozim i cili jepet gjatë fushatës ai duhet të shkojë në kuvend, të vendoset në mënyrë ligjore’’, tha Mujku për FrontOnline.

Ai ka shtuar se, nëse një ligj i tillë do të krijohej, ai do të kishte kosto buxhetore të konsiderueshme dhe do të duhej të zbatohej në të dy sektorët, publik dhe privat. Mujku ka theksuar se sektori privat ka hezituar të ofrojë pagesa të tilla për pushimin e lehonisë.

‘’ Nëse bëhet ky ligj duhet të vlejë për dy sektorët për sektorin publik dhe atë privat dhe në këtë rast këtu has më shumti rezistencë ndaj sektorit privat sepse sektori privat ka hezituar që të bëjë pagesa të tilla , sektorit publik jo që i ka kushtuar diçka ose që i ka pyetur dikush mirëpo ka rezistuar’’, theksoi Mujku.

Ai gjithashtu ka kritikuar mungesën e funksionimit të Këshillit Ekonomiko-Social gjatë këtij mandati, duke shtuar se aty duhej të debatoheshin tema të tilla dhe të merreshin vendime përkatëse.

‘’Krejt kjo është si pasojë e mungesës së themelimit dhe funksionalizimit të Këshillit Ekonomik-Social gjatë këtij mandati s’ka pasur ndonjë veprimtari këshilli ekonomiko-social sepse aty debatohen këto tema dhe vendoset tutje pastaj shkojnë propozimet me ligj dhe ligji I punës pastaj e rregullon ‘’, deklaroi Mujku.

Mujku ka përfunduar duke thënë se, edhe pse ky propozim mund të kishte përfitime për familjet, ai ka pasur një kosto relativisht të lartë dhe premtimet e tilla duhet të jenë të mbështetura me veprime konkrete e jo të lëshohen si ‘’fontanë dëshirash’’

‘’ Duhet pasur parasysh se kjo është një kosto relativisht e lartë dhe këto premtime nëse lëshohen si ‘’fontanë dëshirash’’ atëherë I kanë pasojat  e tyre’’, përfundoi Mujku.

Azemi: Kurti dha shumë “premtime në ajër” para 4-viteve

Jusuf Azemi, kryetar i sektorit privat, ka komentuar mosrealizimin e premtimit të Kryeministrit Albin Kurti për pushimin e lehonisë, duke shprehur dyshimet e tij për realizimin e tij. Azemi ka theksuar se zakonisht para zgjedhjeve bëhen shumë premtime që shpesh mbeten vetëm fjalë dhe pa u kthyer në veprime konkrete.

‘’Në rend të parë zakonisht para zgjedhjeve ne përfitojmë shumë ne këto i përfitojmë vetëm pot themi kështu në ‘’ajër’’, sepse shumica e premtimeve  nuk realizohen kurrë’’, tha Azemi për FrontOnline.

Azemi tha se lidhur me këtë temë   ekziston  ligji i punës, por ky ligj ende nuk është diskutuar me aktorët kryesorë, dhe se ideja e pushimit të lehonisë është më shumë e ‘’shpikur’’.

‘’Për pushimin e lehonisë ekziston një ligj i punës për të cilin ne faktikisht as me akterët kryesorë nuk kemi biseduar dhe realisht kjo farë pune është e shpikur nga vetvetja’’, deklaroi Azemi.

Azemi ka përmendur se, edhe pse çdo nismë që mbështet punëtorët është pozitive, ky premtim sipas tij nuk do të realizohet 100%. Ai ka shtuar se është e nevojshme të investohet tek gratë, sidomos për rritjen e natalitetit.

‘’Kjo do të kishte qenë shumë e mirë nëse do të kishte ndodhur por unë jam i bindur 100% se këtë nuk e bën siç nuk i ka bërë të tjerat, përndryshe dihet që gjithçka që është në favor të punëtorit është e mirë, kjo është edhe në interes të shoqërisë sepse ka nevojë të rritet’’, deklaroi Azemi.

Sociologja Ademi: Pushimi i lehonisë për dy prindërit ndihmesë e madhe edhe për fëmijët

Sociologja Makfire Ademi ka komentuar mbi pushimin e lehonisë në Kosovë, duke theksuar se aktualisht vetëm nëna ka të drejtën për pushimin e lehonisë deri në një vit, ndërsa baballarët nuk përfshihen në këtë mundësi.

‘’Sipas ligjit të punës në Kosovë pushimin e lehonisë nuk janë të përfshirë dy prindërit, por vetëm nëna gëzon të drejtën e këtij pushimi deri në një vit’’, tha Ademi për FrontOnline.

Ajo ka shtuar se, ndonëse premtimet për përfshirjen e të dy prindërve në pushimin e lehonisë janë dhënë gjatë fushatave zgjedhore, ato nuk janë realizuar ende dhe se realizimi i këtij ndryshimi do të ishte një ndihmesë e madhe për kujdesin dhe mirëqenien fillestare të fëmijëve.

‘’Premtimet për përfshirjen e të dy prindërve nuk janë realizuar edhe pse do ishte një ndihmesë e madhe në kujdestarin dhe mirëqenien fillestare për fëmijët’’, tha Ademi.

Sipas Ademit ndryshimi i ligjit do të ndihmonte në përkrahjen financiare të ekonomive familjare,

‘’Ndryshimi dhe realizimi i këtij ligji do ndihmonte edhe në përkrahjen financiare në ekonomitë familjare’’, përfundoi Ademi.

Exit mobile version