Ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach, ka alarmuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar se pas luftës atje do të merret me Kosovën.
Tolkach pyeti se çfarë mund të pritet nga ky paralajmërim i Putinit, raportojnë mediat serbe.
“Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë do të merret me situatën në Kosovë, prandaj duhet ta pyesim veten se çfarë mund të pritet nga një veprim i tillë”, tha Tolkach, përcjell Gazeta Express.
Ai tha se varësia energjetike e Serbisë nga Rusia është diçka që Ukraina “e ka vuajtur” për vite me radhë.
I pyetur për refuzimin e Beogradit për t’i vendosur sanksione Rusisë, ai tha se “ne do të donim që të gjithë të na mbështesin, por nuk na takon neve të vendosim, është detyrë e Serbisë”.
Tolkach tha se Ukraina gjithmonë e ka mbështetur “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” dhe se “në vitin 1999 dënoi agresionin e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë”.