“…sepse jemi pakicë, romë, nuk kemi shtet, atëherë lërini të shkojnë, nuk ka rëndësi për ta”, tha Fadil Zeqiri, duke shtuar se ai dhe gruaja e tij, tash e tre muaj, nuk flenë për shkak të shëndetit të dobët të djalit të tyre.

Ata thanë se, ndërkohë, kanë marrë udhëzim nga një mjek tjetër në qendrën shëndetësore në Graçanicë, për trajtim të mëtutjeshëm të djalit në qendrën shëndetësore në Mitrovicën e Veriut – një komunë kjo tjetër me shumicë serbe, në veri të Kosovës.

Ata shfaqën shpresën se fëmija i tyre do të shërohet.

Drejtorja e shtëpisë së shëndetit: Të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë
Ivan Llukiq, pediatër në shtëpinë e shëndetit në Graçanicë, nuk deshi të flasë për mediat për rastin e trajtimit të fëmijës së Merita dhe Fadil Zeqirit.

Drejtoresha e këtij institucioni, Mirjana Dimitrijeviq, konfirmoi se në dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar një ankesë ndaj pediatrit Llukiq dhe shtoi se do të ndërmerren të gjitha masat “nëse ka pasur neglizhencë ndaj fëmijës”.

Ajo tha se në shtëpinë e shëndetit në Graçanicë, të gjithë pacientët kanë trajtim të barabartë, pa dallim nacionaliteti, feje apo race.

“Askush nuk mund të thotë se bashkëqytetarët tanë romë janë të diskriminuar. Të gjithë kanë kujdesin e njëjtë shëndetësor”, tha Dimitrijeviq.

Pozita e romëve në Kosovë

Komuniteti rom në Kosovë është një pakicë e njohur me Kushtetutë.

Komuniteti ka edhe ulëse të garantuar në Kuvendin e Kosovës.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët përbëjnë rreth 2% të popullsisë së përgjithshme.

Në raportin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili analizon pozitën e komunitetit rom nëpër komunat e Kosovës dhe është publikuar në vitin 2020, thuhet se romët në Graçanicë kanë qasje në objektet shëndetësore dhe se gratë dhe burrat janë përfitues të barabartë të kujdesit shëndetësor.

Megjithatë, raporti nuk specifikon se si e trajtojnë mjekët këtë komunitet pakicë, por vetëm thotë se “institucionet mjekësore janë lehtësisht të arritshme në Graçanicë dhe zona të tjera ku jetojnë pjesëtarët romë”.

Sistemi i kujdesit shëndetësor në zonat serbe funksionon i ndarë nga sistemi i Kosovës, por pjesëtarët e komunitetit rom mund të marrin shërbime shëndetësore nga institucionet që veprojnë në cilindo prej këtyre dy sistemeve.

Qysh në vitin 2008, Qeveria e Kosovës ka një strategji për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, si dhe një plan veprimi për zbatimin e saj, përmes identifikimit të zonave me rëndësi të veçantë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Në pjesën që ka të bëjë me kujdesin shëndetësor, thuhet se qasja në shërbime shëndetësore për këto komunitete pakicë mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës.

“Vetëm 30% e fëmijëve nga komuniteti rom dhe ashkali i kanë marrë të gjitha vaksinat nga dita e parë e lindjes, ndërsa 79% e fëmijëve të moshës 24 deri në 36 muaj kanë kartelën e vaksinimit”, thuhet në strategji.

Aty po ashtu theksohet se trendi i vdekshmërisë së foshnjave te romët ka mbetur pothuajse i pandryshuar në 15 vjetët e fundit: në 1,000 lindje vdesin 41 foshnja.

Krahasuar me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave te komuniteti rom është tri herë më e lartë. /rel/