Aktorja Jameela Jamil ka kritikuar Met Gala për faktin që nderoi figurën e Karl Lagerfeld, stilistin me ndikim i cili ndërroi jetë në vitin 2019.
Jameela Jamil, e njohur më së shumti për rolin kryesor në “The Good Place” të NBC, u shpreh e zhgënjyer për faktin që “shumë feministe të famshme zgjodhën të festonin në nivelin më të lartë, një burrë që ishte kaq mizor publikisht ndaj grave, njerëzve mbipeshë, emigrantëve dhe të mbijetuarve të sulmeve seksuale”.
Tema e Met Gala e këtij viti ishte “Karl Lagerfeld: Një linjë e bukurisë” dhe synonte të përcillte elementë të krijimtarisë së tij ndër vite. Të famshmit parakaluan në tapetin e kuq duke i bërë homazh Lagerfeld-it. Megjithatë, përtej ndikimit në modë, Karl Lagerfeld ishte një figurë goxha e diskutuar për komentet përçmuese.
Dizajneri ishte subjekt i kritikave gjatë gjithë karrierës së tij. Në veçanti, gjuha e tij kundër vajzave dhe grave të kolme është konsideruar “mizore” – ka thënë se “askush nuk dëshiron të shohë gra të rrumbullakëta” kur revista Brigitte njoftoi se do të përdorte gra “të zakonshme, reale” në 2009.
Komente të tjera nga ai përfshijnë: të quajturit Adele-n “pak shumë e shëndoshë”, Heidi Klum “shumë të rëndë”, Pippa Middleton “duhet të tregojë vetëm shpinën”. Përpos kësaj, ka thënë se Coco Chanel nuk ishte feministe sepse ajo “asnjëherë nuk ishte mjaftueshëm e shëmtuar për të qenë feministe.”
Lagerfeld u kritikua gjithashtu për faktin se i dërgoi lule përdhunuesit të akuzuar Dominique Strauss-Kahn; mbrojti stilistin Karl Templer pasi u akuzua për ngacmim seksual dhe tha: “Nëse nuk doni t’ju tërhiqen pantallonat, mos u bëni modele! Shko në një manastir, do të ketë gjithmonë një vend për ty në manastir” dhe tha se ishte “i lodhur” me lëvizjen Me Too.
Ai i quajti muslimanët “armiqtë më të këqij” të popullit hebre në vitin 2017, ndërsa kritikoi pranimin e refugjatëve në Francë.