0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Aktori i njohur e godet Shpend Ahmetin: S’po punon asgjë, je shndërruar në vajtues profesionist

Aktori i njohur Arben Kastrati, në një kolumne të shkruar enkas për kryetarin e rizgjedhur të Prishtinës, Shpend Ahmetin, akuzon këtë të fundit se nuk është duke punuar asgjë dhe se i njëjti është shndërruar në një vajtues profesionist.

Thotë se sjellja e tij nuk është e një kryetari të kryeqytetit por ngjason me të një ‘Rock Star-i”. Për aktorin Kastrati, Ahmeti nuk  i fitoi zgjedhjet se kishte program dhe do t’i sillte të mira Prishtinës, por fitoi sepse sipas tij, qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa.

Shkrimi i plotë i tij:

Marrëdhënia e Kryetarit të Prishtinës me qytetarët është marrëdhënie jo-estetike. Kohë më parë, Kryetari i Prishtinës, me nonshalancë dhe prepotencë të pakuptimtë, refuzoi të takonte investitorë potencial të ardhur enkas nga jashtë, të investojnë në infrastrukturën artistike dhe kulturore të qytetit.

Ndërkohe që gjatë orarit të punës, ai gjen kohë për t’u deklaruar për problemet partiake, për t’ju përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, dhe për tu krekosur në intervistat e shumta. Sikur gjysma e energjisë së tij e shpenzuar në selinë partiake, rrjetet sociale dhe intervista të investohej në punë, do të arrinte të rregullonte ndonjë gjë të vockël të dukshme. Se të padukshmet përmirësime i shikon vetëm ai (dhe stafi i tij i afërt). Mua, Prishtina më duket si një qytet i mbarsur me tmerr.

Demagogu i përkryer Shpend, nuk sillet si kryetar komune por si Rock Star. Dhe këtij Rock Star-i, këtij kryetari të varur nga vëmendja, më duhet t’ia kujtoj disa fakte, që të zbres nga lartësitë e botës së tij imagjinare.
Shpend, në Prishtinën tënde imagjinare, të janë bërë njësh dëshira dhe imagjinata. Prishtina për të cilën flet ti, kur i referohesh të arriturave, është qytet imagjinar. Tmerrësisht bukur i përshkruar. Madje më ngjason me shtetin e presidentit aktual, ku çdo gjë është perfekte në këtë vend. Ju (ti dhe ai, Kryetari i Kosovës) silleni dhe veproni me një komoditet të tepruar. Në habitatet tuaja përkatëse, keni gjetur “gjërat” e munguara. Por, qytetarët s’kanë pse ua ushqejnë egot. Sepse qytetarët kanë preokupime madhore ekzistenciale, për të cilat ju (ti dhe ai, kryetari) s’keni dijeni.
Mjaft u krekose me refrenin tënd të tejpërsëritur për kungja dhe kifle. Është banalitet të gjesh strehë në një klishe. Deklaratat tua janë mizantropi vetëvlerësuese. Në Prishtinën tënde të arrirë, nuk arrin të ç’nervozohesh. Për pasojë, izolimi të bëhet përditshmëri.
Mjaft u solle si një superkryetar i një superkryeqyteti. Mjaft u solle si totem, qytetarët e së cilit duhet të të falen për “gjithë të mirat” që ua paske sjellë. Qytetarët nuk janë të detyruar të të adhurojnë. As të të trajtojnë si tabu. Përkundrazi, duhet të ti kujtojnë problemet e pafundme. Qytetarët e kryeqytetit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Nuk përmirësohet cilësia e jetës duke i larguar investitorët dhe as nga deklarata tua optimiste. Unë habitem me cilësimet që ti i bën punës tënde, arritjeve tua, veprës tënde madhore. Ti ma ofendon inteligjencën, sepse më trajton si të paditur. Si miop. Që s’arrij të shikoj atë që shikon ti. Mjaft me këto mediokritete të rafinuara. Mjaft më me “brain pollution”. Ka kohë që ne kemi humbur aftësinë për t’i gëlltitur gënjeshtrat. Edhe “macchiato society” e qytetit është vetëdijesuar. Dëshmi janë rezultatet e fundit…
Mjaft u solle si Rock Star. Dil nga membrana jote dhe “ekzaminoje” qytetin. Shikoje se ç’gjendje është, në realitet. Ti, (me punën tënde) je kontribuues madhor i kaosit dhe anarkisë. Ti (me të arriturat tua) je kontribuuesi kryesor i dhimbjes konstante që na shkakton përditshmëria. Ti (me projektet tua madhore) je kontribuuesi më i madh i depresionit kolektiv. Ti (me eksperiencën tënde) je kontribuuesi kryesor i gjendjes se mjerë artistike dhe kulturore.
Por, ti për çdo mossukses ke arsyetim. Çdo “sukses” ia atribuon vetes. Paralelisht, je shndërruar në krekosës profesionist dhe vajtues profesionist. Duhet të jesh shumë naiv për të qenë i lumtur. Qeverisja jote, nëse mund të quhet qeverisje, quhet: zhgënjim dhe dëshpërim.
Ka kohë që je shndërruar në politikan profesionist, vetëm flet dhe asgjë s’punon. Ka kohë që e konsideron veten gjigant. Ti je një gjigant, por një gabim gjigant.
Besoj që e ke arritur moshën kur duhet të hysh në fazën e shqyrtimit të ndërgjegjes. Merr shembull kryeqytetet e rajonit dhe bëj krahasime. Zgjohu. Dil nga bota jote imagjinare në realitet. Dhe fillo nga pastrimi. Por, fillimisht nga pastrimi i mendjes tënde.
****
P.S.
Sa për të ta kujtuar. Ti nuk fitove se kishe program dhe do t’i sillje të mira Prishtinës. Ti fitove sepse qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa. Sepse në zgjedhjet parlamentare, ti dhe partia yte FER, fituat pak mbi 1 %. Ti qëllove të ishte kundërkandidat në një moment të caktuar. Rrethanat të sollën në krye të Prishtinës. Që pastaj të na dënoje me të “arriturat” tua.
Arroganca di të të ndëshkoj. E provove. Fitorja jote e dytë është fitore e hidhur. Dhe nuk e pate atë buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. Trete disa kilogram në pritje të rezultateve. (Dhe shumë të tjera ke për të tretur deri në fund, me këtë përbërje dhe këtë mentalitet…)
Pa asnjë respekt për tyArben I Kastrati

T

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/aktori-i-njohur-e-godet-shpend-ahmetin-s-po-punon-asgje-je-shnderruar-ne-vajtues-profesionist-482766/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img