Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’ ndaj Lulzim Sallahut, Naim Sallahut dhe firmës “SA – Sallahu” SHPK, e cila përfaqësohet nga Lulzim Sallahu.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se kundër të akuzuarit Lulzim Sallahu, është ngritur aktakuzë për veprat penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’.
I pandehuri ‘’SA – Sallahu, Sh.p.k’’ (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), në cilësinë e personit juridik, me pronar dhe aksionar 100 % L.S., akuzohet për veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 paragrafi 1, lidhur me nenin 37 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Përpos Lulzim Sallahut, aktakuzë është ngritur edhe ndaj të dyshuarit tjetër Naim Sallahu, i cili akuzohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 390 paragrafi 1 të KRPK-së.
Lulzim e Naim Sallahu ishin përfitues të tenderit për rregullimin e Rrugës A në Prishtinë, projekt ky që u ndërpre para pak ditësh nga Gjykata Komerciale e Kosovës.