Site icon PrishtinaPress

Aktakuzë ndaj zëdhënësit të LVV-së dhe asamblistit të kësaj partie lidhur me rastin e Dejan Pantiq

Prokuroria Speciale e Kosovës sot bëri të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave.

Në mesin e personave që është ngritur aktakuzë është zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi, si dhe dy personave tjerë me inicialet Q.E dhe E.Z.

Manxhuka dhe Azemi sipas Prokurorisë, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e LVV-së, Arlind Manxhuka për të konfirmuar nëse është njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, dhe i njëjti ka thënë se “nuk jam njoftuar zyrtarisht për këtë”.

Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z , është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja”.

Prokuroria ka bërë të ditur se të pandehurit Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

Manxhuka dhe Azemi në gusht të këtij viti ishin intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tyre për rastin e Pantiqit.

Manxhuka përmes një postimi në Facebook kishte akuzuar Prokurorinë Speciale se “po i përndjekë qytetarët me prefixin VV”.

“Rreth 250 denoncime të shkeljeve e proceseve korruptive janë bërë nga ana e ministrive përgjatë kësaj kohe të qeverisjes. Veprimet e prokurorisë jo që ishin të mangëta, por shpeshherë rrëzuan raste me situatë të qartë”, kishte shkruar zëdhënësi i VV-së muaj më parë

Exit mobile version