Site icon PrishtinaPress

Aktakuzë kundër Sami Kurteshit për sulm ndaj punëtorit të KQZ-së për mosbartje të maskës

Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzat se ka kryer veprën penale “Sulmi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Kurteshit, të cilin e ngarkon se në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha, ashtu që të njëjtin e kapë për krahu duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” e shtynë nga mbrapa me dy duart, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sami Kurteshi po akuzohet sepse më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person.

“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është një hetim për rastin “sulm”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, gjatë asaj dite ishte raportuar se Kurteshi ka pasur konflikt fizik me një punëtor të KQZ-së për shkak të mosbartjes së maskës.

Këtë gjë, Kurteshi e kishte mohuar duke thënë se raportimet e mediave janë gënjeshtra. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version