Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut, do ta kenë sot paraqitjen e parë lidhur me aktakuzën që iu konfirmua mbrëmë për ndikim mbi dëshmitarët. Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do ta ketë paraqitjen e parë të hënën.
Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se seanca do të fillojë me paraqitjen e Thaçit.
“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore – z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”, thuhet në njoftim.
Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.