Site icon PrishtinaPress

Aksioni policor në Pejë dhe Mitrovicë, 11 të arrestuar për kultivim të marihuanës dhe trafikim të armëve

Policia ka dhënë detaje lidhur me aksionin antidrogë të zhvilluar nga orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në atë të Pejës.

Përmes komunikatës për media, bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar materiale si: 7 armë (2 Ak47, 5 revole), 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro (para të gatshme), 6 telefona, si dhe dokumente relevante për rastin.

Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).

“Policia e Kosovës, në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike. Me datën 7 shtator 2022, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura. Si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar. Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./Prishtinapress/

Exit mobile version