Site icon PrishtinaPress

Aksioni i sotëm në veri, Vuçeviq: Kurti kot mundohet, serbët nuk do të thyhen

Administrata Tatimore e Serbisë, e cila vepronte ilegalisht në Mitrovicën e Veriut, është mbyllur sot nga autoritetet e Kosovës.

Me këtë rast, policia ka sekuestruar dokumentacion dhe ka hapur një rast për falsifikim dokumentesh.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Veç këtij aksioni, Policia e Kosovës ka realizuar edhe një tjetër bastisje në veri të Mitrovicës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar për Klankosova.tv se kanë ka asistuar zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, në kontrollin e një zyrë ku ka qenë duke funksionuar kompania serbe e sigurimit “DUNAV”.

E për këto zhvillime ka reaguar kryeministri serb, Millosh Vuçeviq. Ai tha se “terrori i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj popullit serb nuk ka fund, por se edhe kjo lëvizje nuk do t’i thyejë serbët” dhe se “shteti i Serbisë qëndron përkrah tyre”.

“Sikur të mos mjaftonin lëvizjet e tij të mëparshme, të drejtuara ekskluzivisht kundër serbëve, për t’ua vështirësuar jetën normale, qëndrimin dhe mbijetesën në Kosovë, kështu që në ditën e dytë të Krishtlindjeve ai vazhdoi veprimet dhe provokimet e tij të dhunshme”, theksoi Vuçeviq, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se bastisja dhe mbyllja e degës së Administratës Tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë në Mitrovicë të Veriut është “e turpshme dhe e papranueshme dhe se serbët në Kosovë nuk kanë qetësi as në këtë festë të madhe të krishterë”.

“Kurti me këtë ka treguar se nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve, por se i intereson vetëm të shkaktojë destabilizim, që të mos ketë më serbë në Kosovë, që të shkëputet përgjithmonë me ta”, tha ai.

Vuçeviq theksoi se Kurti, megjithatë, duhet ta dijë se këto “lëvizje patetike dhe mjerane nuk do t’i shtypin serbët në Kosovë”.

“Shteti i Serbisë gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit të tij në Kosovë”, tha kryeministri serb Vuçeviq.

Exit mobile version