Site icon PrishtinaPress

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri, konfiskohen shok bomba, fishekë e uniforma ushtarake

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin dje në veri të vendit, ku është konfiskuar armatim.

Sipas Policisë, fillimisht ishte raportuar se persona të panjohur kishin fshehur gjëra të dyshimta në një lokacion në veri të Mitrovicës.

Siç njofton policia, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy shok bombë, tetë fishekë, një palë uniformë ushtarake dhe gjemba për dëmtimin e gomave të automjeteve. Rasti është duke u hetuar.

“Raportohet se persona të pa njohur kishin fshehur gjëra të dyshimta. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy shok bombë, tetë fishekë, një palë uniformë ushtarake dhe gjemba për dëmtimin e gomave të automjeteve. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia.

Sekuestrimi i këtyre mjeteve të rrezikshme ka ndodhur të hënën në orët e hershme, ku policia ka pranuar informatën se në lagjen e boshnjakëve përballë shkollës së mesme teknike janë fshehur disa gjëra (pajisje të rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin e realizimit të detyrave ligjore.

Kujtojmë një ditë më parë edhe Dogana e Kosovës njoftoi se ka parandaluar dy raste të kontrabandës me armë në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Merdar.

“Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollet me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Pas zbulimit, konform kompetencës ligjore, rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.

Sekuestrimi i këtyre pajisjeve ushtarake u bë dy ditë pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thanë se Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij po përgatiten për sulme të reja. /Reporteri.net/

Exit mobile version