Site icon PrishtinaPress

Aksioni i madh në Kaçanik ndërlidhet me vrasjen e policit Muhamed Lika: Policia jep detaje

Një aksion i madh i Njësive Speciale po zhvillohet në Kaçanik.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni ndërlidhet me vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë zëdhënësi Baki Kelani.

Në pamje shihet se Policia po kryen kontrolle në shumë ndalesa nëpër qytet.

Vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik kishte tronditur vendin. Ai u qëllua me armë zjarri më 1 prill.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kishte bërë të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.

“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini.

Ai theksoi se autoritetet ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dy të dyshuarit, për shkak të pamjeve jo shumë të qarta të kamerave të sigurisë dhe errësirës.

“Shpresojmë që gjatë mbledhjes së provave dhe shikimit të kamerave të përgjithshme të qytetit të Kaçanikut të identifikohen ata persona dhe sapo të ndodhë kjo do t’i marrim të gjitha hapat për t’i arrestuar. [Të dyshuarit] nuk kanë përdorur maska, por kapela, jo për mbulimin e fytyrës. Rasti ka ndodhur pas orës 23:00 dhe në errësirë, dhe kjo e bën të vështirë identifikimin e tyre”, deklaronte ai.

“Arma e dorasëve nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur arma e zyrtarit policor [viktimës]. Nga të dhënat deri tani, nuk rezulton që ka pasur shkrepje nga arma e zyrtarit policor”, tha ai.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, të martën rreth orës 23:00.

Vrasja ishte dënuar ashpër nga ministri Sveçla e Sindikata e Policisë, por edhe krerët e tjerë të institucioneve.

Exit mobile version