Një autobus me refugjatë ukrainas është aksidentuar mëngjesin e së enjtes në një rrugë nacionale në Poloni.
Si pasojë, siç raportojnë mediat e huaja, pesë fëmijë dhe një i rritur u shtruan në spital, tha policia.
“Në autobus ishin 73 persona. Në Kolonia Siedliszczki, automjeti doli papritur nga rruga, ra në një kanal dhe u përmbys”, ka raportuar të enjten oficerja e shtypit Elwira Domaradzka nga selia e policisë së qarkut në Świdnik.
Ajo shtoi se nga gjetjet paraprake të policisë rezulton se shoferi me gjasë e ka zënë gjumi në timon. Shërbimet po punojnë në vendngjarje.
“Kam qenë në vendin e aksidentit në mëngjes, shërbimet kanë ndërhyrë menjëherë, operacioni i shpëtimit është kryer në mënyrë efikase dhe dinamike”, ka thënë më tej ajo.