Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se nuk ka ndonjë shtetas të Kosovës në aksidentin në Hamburg të Gjermanisë, ku pas shembjes së një skele në një kantier të madh ndërtimi, vdiqën pesë punëtorë, katër prej të cilëve shqiptarë.
Nga MPJ i kanë thënë Gazetës Express se janë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë vendore të qytetit të Hamburgut për të marrë të gjitha informatat e nevojshme lidhur me këtë rast.
Lidhur me aksidentin e ndodhur në Hamburg, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka kontaktuar me autoritetet vendore, të cilat kanë konfirmuar se në këtë aksident nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës. Ambasada e Republikës së Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë vendore të qytetit të Hamburgut për të marrë të gjitha informatat e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ndryshe, Policia në fillim kishte deklaruar se viktimat ishin bullgarë, por më pas korrigjoi informacionin, duke thënë se katër nga pesë viktimat e aksidentit ishin shqiptarë.
Grupi i punëtorëve shqiptarë ishin në Gjermani me pasaporta false bullgare, gjë e cila solli edhe identifikimin me vështirësi të tyre, ndërsa tek punëdhënësi, shtetas kosovar, punonin në të zezën.
Ndërkohë, ende është e paqartë përse është shembur skela. Specialistët e Policisë Kriminale të Shtetit kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote (SPD) shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjithë të afërmit e viktimave”, shkroi ai në platformën X (ish Twitter). Në të njëjtën kohë, ai ka falënderuar edhe shërbimet e urgjencës. Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë që ndodh në punë në Hamburg.
Asnjë punëdhënës në Gjermani nuk guxon të punësojë punëtorë të huaj në mënyrë ilegale. Dënimet shkojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë euro, nëse një punëtor kapet në të zezën.
Dhe, veç kësaj, atyre do t’u bëhet nga një ndalesë prej dy deri në pesë vjet, pa të drejtë pune si kompani dhe si individ, në raste të veçanta, sikurse ky i lartpërmenduri, i cili edhe pas vuajtjes së dënimit, nuk ka të drejtë të hyjë më në Gjermani