Site icon PrishtinaPress

Aksidenti mes veturës së policisë dhe vajzës me trotinet në Gjilan, IPK rekomandon suspendimin nga puna të zyrtarit policor

Të martën në Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një veturë e policisë dhe një e mitur me trotinet. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, IPK njofton se për zyrtarin policor, ngasës i automjetit, është rekomanduar suspendimi nga puna.

“Ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), me datë 08.08.2023, ka pranuar njoftimin nga Policia e Kosovës-Trafiku Regjional, DRP – Gjilan, se një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës në kryerje të detyrës, ishte përfshirë në aksident trafiku me këmbësor. Hetuesit e IPK-së janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë ndërmarr veprimet hetimore dhe kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit të cilit i janë prezantuar të gjeturat e hetimit deri në atë faze”, tha IPK.

Gjithashtu me udhëzim të prokurorit të shtetit rasti është hapur si “Rrezikimi i trafikut publik”.

“Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti penal “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 i KPRK-së. Si pjesë e procedurës administrative hetimore për të dyshuarin, zyrtarin policor (ngasësin e automjetit), është rekomanduar masa administrative suspendim nga puna”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Lidhur me këtë rast policia ka dhënë detaje edhe në raportin 24-orësh të saj.

Policia infirmoi se viktima fillimisht është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për t’u mjekuar e më në spitalin e Gjilanit.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME/ Gjilan, 08.08.2023 – 14:10. Raportohet për një aksident trafiku në mes veturës së policisë dhe një të miture femër kosovare, e cila ishte duke drejtuar një trotinet. Viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor e me pas ka vazhduar tretmanin në spitalin e Gjilanit. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe IPK-ja”, ka njoftuar policia.

Exit mobile version