Site icon PrishtinaPress

Aksident në rrugën Prishtinë-Pejë/Policia apelon për kujdes në ngasje për shkak të kushteve atmosferike

Një aksident mes dy veturave ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht afër fshatit Llapushnik.

Rasin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

“Ju konfirmoj se rreth orës 14:40, ne rrugën nacionale Prishtinë- Pejë afër Llapushnikut është shkaktuar një aksident trafiku ndërmjet dy automjeteve. Përveç dëmeve materiale deri ne këtë fazë nuk ka raportime për persona të lënduar”, tha Hoxha.

Ai tha më tej se njësit policor për kontrolle të autostradave ka dalë në vendin e ngjarjes.

Hoxha po ashtu bëri thirrje te ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes në ngasje për shkak të kushteve atmosferike.

“Pas ndryshimeve atmosferike, te reshurave te vazhdueshme dhe zvogëlimit të dukshmërisë në rrugë, Policia e Kosovës, kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të kenë vigjilencë të shtuar, të posedojnë pajisjet e nevojshme për sezonin dimëror dhe gjatë ngasjes t’u përshtaten  kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, ta mbajnë distancën e mjaftueshme ndërmjet automjeteve dhe të respektojnë shenjat e trafikut që përcaktojnë shpejtësinë”, tha Hoxha.

Ai tha më tej se Policia është duke ndërmarrë të gjitha masat ndaj shkelësve të ligjit.

“Policia me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa aktive ligjore ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, e në veçanti ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat e vendosura në rrugë, si dhe nuk posedojnë pajisjet dimërore, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, përfundoi Hoxha./Prishtinapress/

Exit mobile version