Një aksident i trefishtë ka ndodhur në zonën e Qafë Thanës, afër “Ujit të Ftohtë”, ku ishin përfshirë dy mjete të vogla dhe një minibus që transportonte volejbollistet e ekipit të Skënderbeut.
Bëhet e ditur se njëri nga mjetet ka kryer një manovër të gabuar, duke shkaktuar përplasjen e tre mjeteve.
Nga ky aksident, drejtuesit e mjeteve kanë marrë dëmtime të lehta, ndërkohë që volejbollistet e ekipit të Skënderbeut kanë pësuar tronditje, por fatmirësisht nuk ka pasur pasoja të rënda.
Ato po udhëtonin drejt kryeqytetit për të luajtur ndeshjen e dytë finale të kampionatit kombëtar të volejbollit të femrave.
Policia ka intervistuar drejtuesit e mjeteve për të sqaruar shkaqet e aksidentit, ndërsa për fatin e mirë, situata ka mbetur nën kontroll. Në lidhje me ngjarjen, drejtuesit e ekipit të Skënderbeut kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit shtyrjen e ndeshjes së dytë finale për një datë tjetër.