Site icon PrishtinaPress

AKR-ja konfirmon emërimin e dy ministrave të rinj

Zyrtarë të Aleancës Kosova e Re kanë konfirmuar se janë bërë edhe zyrtarisht ndryshimet në dy ministri.

Gjatë ditës së sotme është shkarkuar nga detyra ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, për arsye të performancës së dobët.

Në vend të Gashit tash e tutje Minsitrinë e Punëve të Brendshme do ta drejtojë, Ekrem Mustafa nga partia e AKR-së.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net sekretari i AKR-së, Vesel Makolli.

Sipas tij, ky ndryshim ka ardhur për shkak të reformimit.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është një ndërrim që është bërë për shkaqe të reformimit edhe po besoj që kjo është për shkak të një pozitiviteti më të madh që do ta presim në të ardhmen e kësaj ministrie”, ka deklaruar Makolli.

Ai po ashtu ka konfirmuar për lajmi.net, se edhe emërimi i Fatmir Matoshit në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka qenë pothuajse i ditur.

Madje sipas Makollit, emërimi i Matoshit është dashur të bëhet edhe më herët, qysh në momentin kur kishte dhënë dorëheqje ministrja Albena Reshitaj.

“Emërimi i Matoshit nuk e di përse është vonuar. Emërimi i tij pothuajse ka qenë i ditur për shkak se ai ka qenë zëvendësminsitër i kësaj ministrie. Mendoj se nuk ka pasur nevojë që emërimi i Matoshit të vonohej kaq shumë”, ka deklaruar Makolli për lajmi.net.

Kujtojmë se Bejtush Gashi është shkarkuar nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të performancës së dobët, ndërkaq Albena Reshitaj kishte dhënë dorëheqje për arsye personale, e që më vonë pas pranimit të dorëheqjes së saj, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj e kishte emëruar Reshitajn si këshilltare të tij.

Exit mobile version