Kanë kaluar 10 orë prej kur një pjesë e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike, pas një incidenti të zjarrit në Nënstacionin Prishtina. Rreth 10 mijë konsumatorë janë duke u përballur me mungesë të rrymës dhe tashmë KEDS ka dalë sërish me një njoftim.
Në njoftim thuhet se mobilizimi i ekipeve të KEDS-it është i madh dhe puna po vazhdon, teksa s’kanë njoftuar se kur mund të rregullohet problemi.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar konsumatorë,
Pas inspektimeve të nevojshme në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it nga autoritetet relevante të Kosovës, ekipet e KEDS-it janë angazhuar menjëherë në pastrimin e ambienteve të përfshira nga zjarri dhe vlerësimin e gjendjes.
Falë përkushtimit të më shumë se 50 punëtorëve të KEDS-it, përmes linjave alternative, furnizimi me energji elektrike është kthyer për 11,000 konsumatorë.
Megjithatë, janë edhe rreth 10,000 konsumatorë të tjerë, të cilët vazhdojnë të mos kenë energji elektrike.
Dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha, porse edhe mobilizimi i ekipeve të KEDS-it është i madh, puna e të cilëve po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në orët e vona.
Rrjedhimisht, KEDS-i është duke i përmbushur të gjitha përgjegjësitë e veta dhe presim që KOSTT-i të aktivizojë transformatorin për të energjizuar Daljet.