Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), gradualisht po publikon të ardhurat financiare si dhe pasuritë e zyrtarëve shtetëror.
Gjyqtari, Arben Xheladini nga Gjykata Themelore e Gjilanit ka paraqitur formularin e pasurive të paluajtshme.
Ai ka një shtëpi në vlerë prej 50 mijë euro, oborr 35 mijë euro, në 12 vende parcela/livadhe të përbashkëta që kapin shumën prej 2.000 deri në 100,000.00 euro.
Xheladini poashtu ka të deklaruar tokë të trashëguar nga paraardhësit, shkruan Indeksonline.
Edhe kolegia e Xheladinit nga po i njëjti institucion, Blerina Jakupi- Ramadani, nuk është se qëndron keq sa i përket pasurisë.
E njëjta ka trashëguar nga familja tokë bujqësore dhe truall në 8-të vende të ndryshme të cilat kushtojnë prej 17 mijë deri 62 mijë euro, transmeton Indeksonline.
Gjyqtarja në fjalë poashtu ka bërë me dije se shtëpia e bashkëshortit të saj prej 320 m2 kap vlerën e 125 mijë euro, derisa vetura hiç më pak se 29 mijë euro.
Ndërkaq Kosovare Musliu- Proshkaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ka një banesë të përbashkët në vlerë 65 mijë euro, duke mos përjashtuar këtu edhe tre shtëpi të tjera, si dhe një truall në vlerë 50 mijë euro.
Musliu- Proshkaj, në formularin e AKK-së ka paraqitur tre vetura, një Mercedes, një BMW dhe një Renault Twingo.
Ftesës për të deklaruar të ardhurat dhe pasurinë e tij i është përgjigjur edhe gjyqtari Sami Gashi nga Gjykata Themelore e Prizrenit.
Pesë shtëpitë e ndërtuara dhe toka e përbashkët, kushtojnë 400.00.00 euro.
Derisa toka bujqësore, poashtu e përbashkët ka një vlerë prej 147.00 mijë euro.
Gashi ka deklarua tre vetura “Mercedes Benz” dhe një traktor me vegla bujqësore.
Kujtojmë faktin se AKK brenda pak ditësh pritet të publikojë të ardhurat financiare dhe pasuritë e paluajtshme edhe të zyrtarëve tjerë shtetëror.