Site icon PrishtinaPress

Akademia e Kosovës për Siguri Publike nuk akreditohet, kanë dy muaj afat për ankesë

Akademia e Kosovës për Siguri Publike e ka të ndaluar regjistrimin e studentëve të rinj për vitin 2023/2024, kjo pasi ky institucion nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), megjithëse kanë afat dy muaj që të paraqesin ankesën e tyre lidhur me këtë vendim.

Në një dokument zyrtar që ka siguruar Telegrafi bëhet e ditur se vendimi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim është marrë më 6 prill 2023.

Sipas këtij vendimi, Akademia e Kosovës për Siguri Publike nuk riakdreditohet në nivel institucional.

“Ndalohet regjistrimi i studentëve të rinj për të gjitha programet e studimit që kanë akreditim valid në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për vitin akademik 2023/24 deri në përfundimit e procesit të ri (të dytë) të akreditimit. Ky vendim hyn në fuqi me nënshkrimin e tij”, thuhet në letrën drejtuar ndër të tjera, MASHT-it, AKSP-së dhe Arkivit të AKA-së.

Siç thuhet në vendim AKA ka dërguar ekspertë ndërkombëtarë për vlerësimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në nivel institucional dhe ka dal me konstatim se nga 11 fushat e standardeve të akreditimit ky institucion “plotësisht” nuk përmbush asnjë standard.

“AKA ka organizuar vizitë me ekspertë ndërkombëtarë të akreditimit në Akademia e Kosovës për Siguri Publike me qëllim të vlerësimit në nivel institucional. Vizita është organizuar më datë 24.02.2023, me ekipin e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit me përbërje: Melita Kovacevic dhe Peter Paryeek.

Bazuar në nenin 17 të UA Nr.15/2018 për akreditimin e IAL-ve, Ekipi i Vlerësuesve të jashtëm (Ekspertëve ndërkombëtar) ka hartuar raportin e vlerësimit dhe për fushat e standardeve të akreditimit të parapara në Manualin e Akreditimit ka konstatuar se nga 11 fushat e standardeve të akreditimit, Akademia e Kosovës për Siguri Publike është vlerësuar se përmbush: plotësisht, zero standarde, substancialisht katër standarde, pjesërisht katër standarde dhe nuk i plotëson tre standarde”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka afat kohor dy muaj për të dërguar ankesa dhe Telegrafi mëson se i njëjti institucion pritet që të dorëzojë ankesë brenda afatit kohor.

Sipas tyre, çështja e mosakreditimit nuk është definitive pasi ende kanë kohë për ankesë.

Pas shfrytëzimit të së drejtës së ankesës çdo institucion i cili dështon në akreditim duhet të pres afatin kohor (vitin e ri akademik) që të aplikojnë sërish për akreditim.

Në këtë Akademi trajnohen anëtarët e agjencive për siguri publike.

Ndryshe, në vitin e parë akademik 2014/2015 i cili filloj më 15 tetor 2014, për herë të parë ishin pranuar 69 studentë nga institucionet e sigurisë publike përkatësisht nga: Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Prioritetet strategjike të Akademisë janë:

Ofrimi i trajnimeve profesionale, avancuara dhe të specializuara për institucionet e sigurisë publike në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare të akreditimit;

Fuqizimi i arsimit të lartë në siguri publike;

Zhvillimi i profilit hulumtues në shërbim të sigurisë publike;

Implementimi i politikave të sigurimit të cilësisë sipas standardeve bashkëkohore

Ngritja dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, kapaciteteve infrastrukturore dhe proceseve të punës

Zhvillimi i mëtejmë i bashkëpunimit me palët e interesit vendore dhe ndërkombëtar

Exit mobile version