Përmes një njoftimi të publikuar gjatë këtij muaji, IKSHP thotë se në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.
Ky Institut, në njoftimin e botuar më 8 janar, kur vlerat maksimale të ndotjes së ajrit kishin mbërritur në 360 PQI, thoshte se “vlerat e PM2.5 janë disa herë jashtë normales”, ndërsa sonte këto vlera kanë arritur në rekord 431 AQI, që do të thotë se ajri është edhe më i ndotur.
Maksimalja e ajrit të ndotur deri më tash ka qenë 406 AQI, mirëpo në matjet që janë bërë sonte në orën 21:00 këto vlera kanë shkuar në rekord 431 AQI, shkruan lajmi.net.
Prishtina bazuar në këto të dhëna është në vendin e parë në botë me ajrin e ndotur, duke lënë pas vetes edhe Indinë, Pakistanin, Bangladeshin e vende të tjera që zakonisht i prijnë listës së vendeve me ajrin më të ndotur.
Këto të dhëna janë marrë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane.