Elez Blakaj, prokuror i Prokurorisë Speciale, dha dorëheqje nga pozita e tij të martën e kësaj jave.
I njëjti, tash e një kohë po mirrej me hetimin e listave të veteranëve të UÇK-së, që dyshohej që ishin të manipuluara, shkruan lajmi.net.
Nën llupën e tij ishin figura të profilit të lartë, kryesisht personat që ishin në përbërje të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve.
Ashtu siç u raportua, në listën e Blakajt ishin Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Smajl Elezaj, Faik Fazliu, Ahmet Daku dhe Xhevat Jashari.
E i fundit që u ftua nga prokuroria për t’u intervistuar si pjesë e Komisionit Qeveritar ishte Xhevat Jashari.
Ai për lajmi.net gjatë ditës së sotme ka folur për rastin në fjalë.
Sipas tij, i gjithë Komisioni Qeveritar për Statusin e Veteranëve ka qenë i ftuar për intervistim, megjithëse ai thotë se për vete nuk kishte të bënte as me lista të veteranëve dhe as individëve.
“Skam të bëj unë me lista të veteranëve dhe as individëve. Prokuroria është e vërtetë që i ka marrë në pyetje, edhe personi i fundit jam që kam qenë i ftuar. Të gjitha sqarimet për një proces i kam dhënë. Unë në atë proces e them me sinqeritetin më të madh, edhe me bindje të plotë që gjatë këtij procesi të madh dhe voluminoz që ka qenë, as një pikë dhe as një presje nuk e heq edhe aty ku kam qenë pro edhe aty ku kam qenë kundër”, ka thënë Jashari për lajmi.net.
Siç thotë Jashari, kompetent për verifikimin e veteranëve kanë qenë komandantët e zonave së bashku me vartësit e tyre, ndërkaq shton se askund nuk ekziston një nënshkrim i tij përmes së cilit dikujt i është dhënë statusi i veteranit, invalidit, ose dëshmorit.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje prokurorit Blakaj që të dalë dhe të tregojë haptaz arsyet e dorëheqjes, pasi siç thotë ai kjo nuk është spektakël mediatik, dhe se është e pamoralshme që dikush të shkojë dikund të kërkojë azil e në anën tjetër të etiketojë vlerat e UÇK-së.
“Ne nuk kemi informacione dhe sa dëgjova nuk ka ngritje të aktakuzës, por ai zotnia duhet ta sqarojë për çka u dalë, përndryshe unë do të kërkoj nga prokuroria ta dij se përse e ka citu emrin tim nëse e ka cituar. Ky nuk është spektaktël mediatik, është e pamoralshme dhe e pandërgjegjshme që dikush të shkojë dikund të kërkojë azil dhe të merret me etiketimin e vlerave të luftës së UÇK-së”, ka thënë tutje Jashari.
Ai në fund shtoi se i gjithë procesi i verifikimit, duke përfshirë edhe verifikimin e dëshmorëve para luftës së UÇK-së, ka qenë në përputhje me ligjin e vlerave të luftës.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme për lajmi.net u deklarua edhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja.
Ai tha se sipas informacioneve që posedon, nuk ka pasur aktakuzë të ngritur por vetëm i kanë marrë në pyetje të gjithë anëtarët e Komisionit Qeveritar.