Site icon PrishtinaPress

“Ai është kriminel”/ Sylë Hoxha padit Sami Kurteshin, ia kërkon 30 mijë euro kompensim

Ish–kryeprokurori Sylë Hoxha e ka paditur anëtarin e Vetëvendosjes, Sami Kurteshin, pas deklaratës së tij se rasti i Astrit Deharit ka qenë i planifikuar nga AKI, PDK dhe LDK, të cilët siç ka thënë ai e kanë pasur personin që e kanë mbajtur në fre, duke iu referuar Hoxhës. Këtë deklaratë, Kurteshi e kishte dhënë në njërin nga debatet televizive ku flitej për rastin Dehari, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar padinë për Shpifje, Fyerje dhe Kompensim, të paraqitur nga Hoxha thuhet se Kurteshi është përgjegjës për shpifje dhe fyerje ndaj tij, pasi siç ka pretenduar ai, pohimet e tij nuk janë të vërteta dhe janë bërë me qëllim të dëmtimit të reputacionit.

Hoxha ka kërkuar nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim, përmes të cilit aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, të detyrohet Kurteshi “që për dëmin moral, cenimin e reputacionit dhe personalitetit të tij, t’i paguajë shumën prej 30 mijë euro me kamatë ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën përfundimtare.”

Ai ka kërkuar nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim, përmes të cilit aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, e po ashtu që Kurteshi të detyrohet të kërkojë falje publike, si dhe të obligohet që të mbulojë shpenzimet e procedurës deri në përfundim të procedurës.

Çka deklaroi Sami Kurteshi?

Para disa javësh, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi riktheu akuzat e forta ndaj ish-prokurorit Sylë Hoxha të cilin e quajti “kriminel” e “vrasës”.

“Ai është kriminel! Ai është vrasës! Dhe e ka vendin në burg,” – tha Kurteshi për RTV Dukagjinin, duke e nisur interpretimin politik të rastit Dehari.

Më pas, ai vazhdoi duke e lidhur rastin Dehari me një rast tjetër të quajtur “Syri i Popullit”. Dhe se këto dy raste i kishte organizuar Partia Demokratike e Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, ai nuk dha prova në lidhje me këto pretendime. Provat e vetme që e dëshmonin pretendimin e tij, sipas Kurteshit, ishin deklaratat publike të eksponetëve të PDK-së e LDK-së në Kuvend e në media.

Exit mobile version