Site icon PrishtinaPress

Ahmeti u dërgon letra drejtuesve ndërkombëtarë: Të mbrohet Marrëveshja e Ohrit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ka dërguar letra presidentes dhe kryeministrit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe sekretarit të Shtetit të ShBA-së Antony Blinken.

Siç ka bërë të ditur BDI-ja, Ahmeti në letra shpreh shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumëetnik, raporton Klan.mk.

Ahmeti thekson se tri vendime të fundit – planet për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike – përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai i bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Exit mobile version