Kishte premtuar se brenda 24 muajve të mandatit të tij do të përfundohen të gjitha investimet kapitale dhe qytetarët e Prishtinës do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë në të gjitha lagjet që janë pjesë e rrjetit në Prishtinë. Por, Shpend Ahmetit iu deshën edhe 16 muaj tjerë shtesë që ta realizojë një nga premtimet kryesore të tij.
Kryetari i Prishtinës ka njoftuar se nga mesi i marsit prishtinasit do të furnizohen 24 orë me ujë.
Ahmeti këtë gjë po e realizon kur gati është në fund të mandatit të tij, e jo siç kishte premtuar brenda 2 viteve të para të punës.
Për realizimin e projektit, Ahmeti ia ka njohur meritat edhe Qeverisë, përkundër inateve politike.
Financues të këtij projekti janë Komuna e Prishtinës, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, të cilat kanë ndarë nga 5 milionë euro për këtë projekt, si dhe 20 milionë euro që kompania e Ujësjellësit rajonal Prishtina ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, me ç’rast garantuese e kthimit të kredisë është Qeveria e Kosovës.
Ky është njoftimi i Shpend Ahmetit në facebook:
Në pjesën e dytë të marsit 2017 Prishtina do të ketë 24 orë ujë. Sot vizituam punët përfundimtare në Fabriken e re të Ujit dhe fabrika është gati që pas dates 17 Mars të lëshohet në testim dhe deri në fund të muajit shumica e kryeqytetit do të ketë 24 ORË UJË.
Janë ndërruar një pjesë e madhe e gypave në vitet 2014 – 2015, me kredinë e KfW dhe pjesëmarrjen e Komunës dhe Qeverisë (me nga 5 milion Euro) është bërë edhe fabrika e re e Ujit, dhe është përmirësuar dukshëm inkasimi. Në vitet në vijim kanë mbetur që bashkë me Ujësjellësin të zgjedhim edhe problemet në pikat e larta dhe në ndërtesat kolektive (aty ku ka prishje).
Ky është ndër lajmet më të mira për kryeqytetin dhe shfrytëzoj rastin që në emër të qytetarëve të Komunës të falenderoj të gjithë ata që kanë punuar që kjo ditë të vjen në komunën tonë.