Site icon PrishtinaPress

Ahmeti premton investime milionëshe te Pallati i Rinisë, përderisa mbi 100 punëtorë janë ende pa paga!

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë do të ketë investime milionëshe në drejtim të rimëkëmbjes së tij.

Këto premtime i bëri kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë vizitës që i bëri këtij Pallati e që ështe e para pas kalimit të saj një pronë komunale.Ahmeti tha se do të ketë disa faza të rimëkëmbjes, ku në fillim do të fokusohen tek borxhet të cilat arrijnë deri në tre milionë euro dhe pagat e punëtorëve.

Kryetari Ahmeti, theksoi se gjitha këto investime nuk mund të përballohen vetëm nga buxheti komunal, por do të gjejnë donacione dhe forma tjera.

Ai shtoi se investimet do të arrijnë mbi 10 milionë euro,  dhe për këtë tashmë veq kanë filluar kontaktet e para për donacione nga Bashkimi Evropian.

Ahmeti tha se Pallatit të Rinisë do t’i rregullohet parkingu që është tek salla e djegur, qendra kulturore e fëmijëve, ku janë Salla e Kuqe, Galeria, dhe ASK-ja.

Ndërsa, drejtori i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli tha se problematike për të, përveç objektit në tërësi janë dhe mos pagesa e punëtorëve, sepse sipas tij,  ky pallat ka mbi 104 punëtorë që  ka mbi dy muaj që nuk janë paguar.

Me ligjin për Prishtinën Pallati i Rinisë nga AKP-ja, ka kaluar me kompetenca të plota në komunën e Prishtinës.

Exit mobile version