Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka dënuar rrëmbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe. Ai ka deklaruar se pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë.
Ahmeti ka shkruar se është i shqetësuar për situatën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre. Pala serbe duhet ti ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjellë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka thënë se tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva europiane.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.