Site icon PrishtinaPress

Ahmeti: Mbajtja e maskës e domosdoshme, por s’mund të jetë vepër penale mos mbajtja e tyre

Kryetari i Komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti, është deklaruar pas paralajmërimeve për veprime ligjore ndaj qytetarëve që nuk mbajnë maska si pjesë e luftës së domosdoshme kundër përhapjes së koronavirusit që tashmë ka marrë hov në vendin tonë.

Ahmeti, në një postim në Facebook, ka shkruar se maskat mund të bëhet obliguese vetëm atëherë kur qytetarët do të kenë mundësi ta sigurojnë atë, pasi në krizën aktuale shuma prej 50 cent për 1 maskë një përdorim ose 6-7 euro për ato për shumë përdorime, janë luks për shumicën e qytetarëve.

“Mbajtja e maskës është e domosdoshme dhe e përgjegjshme. Nuk është dhe nuk mund të jetë vepër penale për shumë arsye. Por kryesorja është arsyeja ekonomike”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

“Mbajtja e maskës është e domosdoshme dhe e përgjegjshme. Nuk është dhe nuk mund të jetë vepër penale për shumë arsye. Por kryesorja është arsyeja ekonomike. Kur bëhet obligim atëherë duhet kujdesur që qytetarët kanë mundësi ta sigurojnë atë. Në krizën tonë, 50 cent për 1 maskë një përdorim ose 6-7 euro për ato për shumë përdorime, janë luks për shumicën e qytetarëve.

Si gjithmonë krizat godasin shtresën më të varfër më së pari dhe më së shumti në terme relative por edhe absolute. 170 euro nuk janë vlerë e njëjtë për dikë që i ka milionat dhe dikë që ka vetëm borxhe.

Kjo pandemi dhe krizat përcjellëse nuk do të mund të luftohen me manuale 200 faqesh e as me masa të pazbatueshme, por me ndërtim të besimit të ndërsjellë të institucioneve me qytetarët, pozitë e opozitë, biznese e punëtorë.

Kjo qeveri nuk i ka 100 ditë për ta vlerësuar fillimin siç do ndodhte në një situatë normale. Duhet dinamikë e pandalshme në Kuvend. Takime të panumërta për të arritur kompromis.

I kuptojmë që temat tjera munden ta humbin fokusin e qeverisë, por mos i largoni sytë nga topi e ai sot është pandemia dhe kriza ekonomike. Ka mjaftueshëm media, analistë e politikanë për të folur për to.

Duhet të sigurohemi që kemi mjaftueshëm njerëz për të ndërtuar politika e konsensus për pandeminë e ekonominë. E në këto tema jemi në njërën anë të gjithë. Mjafton të diskutojmë e kontribuojmë të gjithë”, ka shkruar ai.

Exit mobile version