Gjatë ditës së sotme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ankuar për miratimin e Kuvendit të Kosovës për Statusin e “Trepçës”, shkruan prishtinapress.eu
Vuçiq ka thënë se me këtë Kosova ia konfiskoi pasurinë natyrore Serbisë, madje këtë veprim ai e quajti si provokim dhe si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar bashkëkryesuesi i ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se sipas tij, mendimi i Vuçiqit për Kosovën nuk ka peshë juridike.
Postimi i plotë i Ahmetit pa ndërhyrje:
Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”!
Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale.
Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike.
Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.
Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën).
Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut.
Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit.
Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë.