Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private- AIPP, ka vendosur hapjen e kopshteve publike e private pas vendimit të fundit të Qeverisë, duke respektuar protokolin tashmë të implementuar prej datës 01 qershor kur u bë rihapja pas mbylljes dymujore të pandemisë.

Por kundër këtij vendimi ka dalë kreu i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke e vlerësuar situatën e situatës, kjo pasi  ditëve të fundit është duke u rritur jashtëzakonisht shumë numri i të infektuarve me coronavirus në vend.

“Pas masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë për qëllim luftimin e pandemisë #covid19, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha hapat sipas përgjegjësisë dhe kompetencave të cilat i takojnë. Sipas këtyre masave, Qeveria e Kosovës, ka zhvendosur në kompetencë të komunave të Republikës vlerësimin e situatës në nivel komune, për rihapjen e kopshteve”, thotë Ahmeti.

“Numri i të infekuarve me #covid19 në Kosovë, është duke u rritur jashtëzakonisht shumë ditëve të fundit, e sipas studimeve dhe situatave të krijuara në disa shtete në botë, shpërndarja e virusit po infekton edhe grupmoshat e reja, përkatësisht fëmijët. Kjo ka bërë që Komuna të analizojë me kujdes të shtuar situatën e krijuar”, shprehet ai.

Ahmeti thotë se Komuna e Prishtinës është duke e hartuar një protokol i cili do të konkretizojë deri në detaje menaxhimin e situatës me kopshte, pas rihapjes.

Sipas tij, ky protokol do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndermirën në rast të infeksioneve eventuale.

Ahmeti theksoi se pasi që të finalizohet protokoli dhe pasi që të bëhet vlerësimi i situatës, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës pasi që prioritet për ne është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.