-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Ahmeti bën thirrje për bashkim pas “vizitës private” të Kurtit në Shkup e Tetovë: Është përgjegjësi historike, hap i domosdoshëm

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare atje. Kryetari i partisë më të madhe shqiptare atje, Ali Ahmeti, të cilin Kurti nuk e takoi, sot ka bërë thirrje për bashkim.


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për bashkim, me rastin e 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për të krijuar raporte të reja shoqëroro-politike për ta ndërtuar shqetitn që sot quhet Maqedonia e Veriut.

Ahmeti përmes një video-mesazhi tha se bashkimi “rreth frontit europian” është nevojë dhe përgjegjësi historike.


“Në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit bëj thirrje për bashkim, unifikim rreth frontit europian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për ta siguruar të ardhmen. Vetëm të bashkuar jemi më të fortë”, tha Ahmeti.

Ai tha se pas luftës dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001, tash po tejkalohen “barrierat e fundit të barazisë së shumëkërkuar”. Ahmeti përmendi se gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar tani janë zyrtare dhe se shqiptarët janë pjesë e të gjitha dikastereve qeveritare. Për ta rrumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimit, ai tha se “duhet ta ndërmarrim edhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese”.

“Po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë dhe Kosovën, me rajonin, të cilat edhe po i unifikojnë kufijtë”, tha ndër tjerash Ahmeti.

Maqedonia e Veriut është para një procesi ku do t’i duhet të lëvizë në përpjekje për t’i shpëtuar bllokimit të procesit të integrimit të vendit në BE. Parakusht në këtë rrugë është çështja e ndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Duke qenë kështu, Ahmeti bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve pasi tha se “vendimet e mëdha kërkojnë guxim, e jo kalkulim; kërkojnë vizion, e jo shkurtpamësi; kërkojnë prirje, e jo struktim”.

“Nuk guxojmë ta humbasim shansin e ta shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend e rend europian”, tha ai.

Kurti në Maqedoninë e Veriut, opozita priti “kryeministrin mbarëshqiptar”, për shqiptarët në pushtet vizita ishte private

Fjalët e Ali Ahmetit vijnë me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe menjëherë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në shtetin fqinj.

Kurti shkoi të premtën në Maqedoninë e Veriut dhe nuk e takoi Ahmetin, kryetarin e partisë më të madhe të shqiptarëve atje, me të cilin për shumë çështje nuk ndajnë mendime të njëjta.

Por e takoi kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, të dy përfaqësues të partive opozitare shqiptare: Lëvisjes Demokratike – fraksionit të dalë nga BDI-ja – dhe Lëvizjes Besa. Me këtë të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar që herët njëfarë afërsie. Kasami e quajti ditë të madhe atë kur Kurti mbërriti në Tetovë dhe e konsideroi atë si kryeministër të të gjithë shqiptarëve.

“Në këtë ditë të madhe ku presim kryeministrin e Kosovës, jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarëve zotëri Albin Kurtin në Tetovë”, tha kryetari i Tetovës.

Nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk ishin përgjigjur konkretisht se pse ai kësaj radhe nuk do të takohet me Ahmetin. Thanë vetëm se Kurti po shkonte atje si i ftuar me rastin e riemërimit të një rruge në Shkup me emrin “Adem Demaçi” dhe inaugurimit të një segmenti rrugor Prizren-Tetovë.

Kurti tha nga atje se vizita ishte “kryekëput shkaku i ftesës që kam pasur” dhe se po të ishte ftuar edhe nga ndonjë komunë tjetër për diçka të ngjashme, do ta kisha përfshirë në kuadër të kësaj vizite.

I pyetur se në çfarë cilësie shkoi atje, Kurti me nënqeshje tha se ishte ftuar si kryeministër. Por Qeveria e Maqedonisë së Veriut e konsideroi private vizitën e Kurtit, ashtu si edhe eksponentët e rëndësishëm të BDI-së së Ali Ahmetit në pushtet.

Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut që vjen nga BDI-ja, tha se s’ishin informuar zyrtarisht për vizitën e Kurtit, duke pandehur se ai s’do të shkojë në vendin fqinj si kryeministër.

“Ne nuk kemi informacione zyrtare për ardhjen e Kurtit. Kështu, me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër. Po shohim nëpër rrjetet sociale, vetëm komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk e kam idenë se për çfarë vizite bëhet fjalë”, tha Osmani të hënën në telvizionin Sitel.

Ndërsa zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi i tha Gazetës Express një ditë para kësaj vizite se Kurti nuk ka kërkuar ta takojë Ahmetin.

“Z. Kurti nuk ka kërkuar takim me liderin Ali Ahmeti”, tha Grubi. “Nga paralajmërimi i zëdhënesit të qeverisë së Republikës së Kosoves, duket se vizita ka karakter lokal me ftesë të kryetarevë te dy komunave për manifestime të tyre lokale”.

Kryetarët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e shkëputur së fundmi nga BDI-ja, i kanë intensifikuar takimet. Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u pa edhe si përpjekje për bashkimin e partive shqiptare në shtetin fqinj.

Izet Mexhiti, inicuesi i partisë së re, Lëvizja Demokratike, tha se vizita e Kurtit atje ishte në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje.

Kjo vizitë e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u pa edhe si reflektim i mosmarrëveshjeve të tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Ali Ahmetin, të cilin e konsideronte “pionier të Ballkanit të Hapur” dhe të cilin gjen rastin ta citojë jo rrallë herë. Ahmeti, ndërkaq, e quan Ramën “mik të madh”.

Për kryediplomatin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, BDI-ja qëndron me mendimin se s’duhet të fragmentizohet skena politike dhe se kjo parti “i përfaqëson shqiptarët nga Kumanova deri në Strugë”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img