Site icon PrishtinaPress

Agron Mustafa s’ka qasje në telefon prej kur iu ngrit aktakuza

Agron Mustafa është i paqasshëm që nga dita kur u bë publik njoftimi i prokurorisë për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

Atij i vihet në barrë vepra penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, në kohën sa ishte kryeshef i Telekomit të Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Mustafa në cilësinë e kryeshefit të Telekomit të Kosovës me dashje i ka shkaktuar dëm ndërmarrjes në vlerë prej mbi 6 milionë e 700 mijë euro për kontratën me kompaninë “Paykos”.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Mustafa “më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Për këtë çështje, Gazeta Express, që disa ditë ka tentuar të marrë një koment nga Agron Mustafa, por i njëjti është i paqasshëm në telefon.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, parasheh dënim me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.

Por në rastin tjetër kur kryesi i veprës merr ryshfet ose shkakton dëm në shumën që tejkalon 100 mijë euro, kryesi mund të dënohet deri në 10 vite burgim.

“Personi përgjegjës i cili ushtron veprimtari ekonomike që lidh kontratë për të cilën e di se është e dëmshme për organizatën e biznesit apo që lidh kontratë në kundërshtim me autorizimet e tij dhe me këtë i shkakton dëm organizatës së biznesit, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. 2. Kur kryesi i veprës nga paragrafi 1. i këtij neni merr ryshfet ose shkakton dëm në shumën që tejkalon njëqindmijë (100.000) Euro, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version