Site icon PrishtinaPress

​Agron Kuka tregon pse u pensionua Loriana, ka një thirrje edhe për vëllain e tij

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka ka folur ekskluzivisht për KosovaPress nga Parisi, atje ku sporti i xhudos ia siguroi Kosovës edhe dy medalje në Lojërat Olimpike, duke e quar kështu në pesë numrin total të tyre.

Ai fillimisht foli për pensionimin e Loriana Kukës, lajm ky që befasoi adhuruesit e këtij sporti, por Kuka për KosovaPress thotë se kjo ishte e planifikuar që Loriana t’i jepte fund karrierës pas këtyre lojërave.

“Loriana e ka pasur të planifikuar pensionimin, kështu që për ne nuk është befasi, e kemi pritur. Fatkeqësisht edhe ajo e ka pasur një lëndim që e ka pësuar së voni, paraqitja e saj vërtetë ka qenë e nivelit të lartë, ka pasur një përformancë shumë të mirë, e kaloi një luftë të vështirë me sllovenen, edhe luftën e dytë ka pasur gjasa të mira ta kaloj por ja që fati e deshi që ajo në raundin e dytë të diskualifikohet dhe të mbetet me plasmanin e nëntë në këto Lojëra Olimpike…Si garuese e aktive besoj që këtu e përfundon karrierën, për të ardhmen e saj ndoshta të angazhohet si trajnerë apo diçka tjetër nuk ka vendosur ende”, ka thënë Kuka.

Sa i përket rezultateve të arritura, Kuka është shprehur shumë i kënaqur me nivelin e sportistëve të treguar në këtë olimpiadë, duke e konsideruar si një arritje të jashtëzakonshme sigurimin e dy medaljeve elitare.

“Mund të them se jam shumë i kënaqur me epilogun dhe rezultatin e arritur në këto Lojëra Olimpike, dy medalje që do ta kishin lakmi edhe shtete të forta që investojnë shuma marramendëse në sport, e veçanërisht në sportin e xhudos, kështu që lirisht mund të them që rezultati i arritur është i jashtëzakonshëm”, theksoi Kuka.

I pari i Federatës së Xhudos pati edhe një thirrje për trajnerin e xhudos, njëkohësisht vëllain e tij duke thënë se ai duhet të vazhdojë që të punojë edhe më shumë në këtë drejtim për të arritur suksese të tjera me gjeneratat e reja.

“Sa i përket Dritoni ne e dimë që ai është strumbullari i sportit të xhudos, është trajner që është i mirënjohur në të gjithë botën. Edhe pse qëllimi i tij është që të arrijë pesë medalje olimpike, unë besoj që ai është në moshë i ri dhe do të vazhdojë edhe më me përkushtim dhe këtë e kemi obligim ndaj të rinjve që i kemi në radhë duke pritur për rezultate të reja në olimpiadat e ardhshme, në garat e ardhshme, kështu që Toni do të vazhdojë ta udhëheq Federatën e Xhudos sa i përket trajnimit”, shtoi Kuka.

Ai në fund theksoi se me këto rezultate që po arrihen në sport, imazhi i Kosovës është i jashtëzakonshëm përball federatave të shteteve më të mëdha të botës. /KP

Exit mobile version