Site icon PrishtinaPress

Agon Maliqi: Presion për dialogun, Franca nuk ka fuqi ta pezullojë vendimin e BE’së për vizat

Analisti Agon Maliqi ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Maliqi ka thënë se Franca nuk ka fuqi që ta revokojë vendimin e BE’së për vizat.

Sipas tij, gjëja e vetme që Parisi mund ta bëjë është ta detyrojë një rishikim të tyre, por është diçka për të cilën do të rezistohet.

Ai ka thënë se presidenti francez ka për qëllim që të rrisë presionin për ta ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Franca nuk ka fuqi të pezullojë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mund të përpiqet të detyrojë një rishikim, por do të rezistohet. Macron e di këtë, kështu që me shumë gjasa ky është qëndrim dhe presion për të ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjë që me shumë gjasa do të dështojë.”


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri një deklaratë sa i përket liberalizimit sot në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë.

Në media u raportua deklarata e tij e përkthyer nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë që u la të nënkuptohej se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën.

Por, deklarata e Macron ka tjetër kuptim në një përkthim të Radio Evropa e Lirë.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron, siç raporton REL.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Exit mobile version