Filmi kosovar ‘Agnus Dei’ me regji të Agim Sopit, bashkëprodhim i AS Film Production dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka fituar edhe dy çmime ndërkombëtare.
Javën e kaluar, në festivalin Leke View International Film Festival në Ludhiana të Indisë, ‘Agnus Dei’ ka fituar çmimin Best Director, Regjisori më i mirë, kurse në Scandinavia International Film Festival, i cili ka përfunduar mbrëmë në Helsinki të Finlandës, ka fituar çmimin Awards of Recognition.
Gjatë shtatorit dhe muajve në vijim, filmi ‘Agnus Dei’, do të vazhdojë rrugëtimin nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare. Më 17 shtator do të mbyllë edicionin e 32-të të festivalit të njohur “La Rioja es de Cine” i cili mbahet në Logroño të Spanjës. Në këtë festival, ‘Agnus Dei’ është i nominuar në pesë kategori për çmimet kryesore si: Filmi më i mirë ndërkombëtar, Regjia më e mirë, Skenari më i mirë, Kamera më e mirë dhe Montazhi më i mirë.
Poashtu, më 2 tetor, filmi ‘Agnus Dei’ do të shfaqet edhe në mbylljen e festivalit amerikan Valvet Rope International Film Festival që mbahet në Sacramento, USA. Edhe në këtë festival, filmi kosovar është nominuar në pesë kategori për çmimet kryesore si: Filmi më i mirë i festivalit, Astrit Alihajdaraj – aktori më i mirë, Zhaklina Oshtir – aktroja më e mirë, Menduh Nushi – Drejtori më i mirë i fotografisë dhe Mendi Mengjiqi – Kolona zanore më e mirë.
Gjatë muajit shtator, ‘Agnus Dei’ do të shfaqet në konkurrencë zyrtare edhe në Festivalin Coral Coaste International Film Festival në Sardinia të Italisë, për të vazhduar më datë 14 tetor në Hokong International Film Festival – Honkong, Kinë, pastaj në festivalin më të madh të Pensilvanisë, saktësisht në Great Lakes International Film Festival – Erie, IndieWise Film Festival, në Miami të Florida-s, në Amazon Underground Film Festival në Manaus të Brazilit, për të përfunduar në London World Film Festival të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë muajve të fundvitit, ‘Agnus Dei’ do të jetë pjesë edhe në disa evente të rëndësishme ndërkombëtare.